Eduart Lamaj: E mora vesh në televizor se kisha vrarë dy persona, doja të shkatërroja lokalin

schedule18:07 - 29 Qershor, 2020

schedule 18:07 - 29 Qershor, 2020

Eduart Lamaj e ka marrë lajmin se ka vrarë Bujar Likën dhe Paulin Gjergjin, mbrëmjen e 30 majit përmes televizorit. Kështu ka deklaruar ai në rrëfimin për grupin hetimor.

Në dosjen e siguruar ekskluzivisht nga abcnews.al është zbardhur e gjithë dinamika e vrasjes së 2-fishtë të ndodhur në një hotel në Kurbin, në bazë të rrëfimit të autorit kryesor.

Ai është shprehur se fillimisht atë pasdite ka dalë për një shëtitje me makinë me disa shokë dhe më pas janë përgatitur për të shkuar në lokalit e Arjan Allamanit.

Lamaj ka deklaruar se kishte për qëllim të shkatërronte lokalin e këtij të fundit, për shkak të një konflikti të ndodhur në vitin 2007 në Itali, ku Allamani i kishte vjedhur një vlerë parash prej 3000-4000 eurosh.

“Pas marrjes së të dhënave nga OPGJ dhe në vijim nga Prokuroria në prani të mbrojtësve të caktuar kryesisht është pyetur pacienti i operuar nga shtetasi Viktor Marku.

Nga verifikimet e kryera edhe nga pyetja e tij rezultoi se identiteti i tij nuk ishte Veri Pëllumbi siç ishte shënuar në kartelë, por ishte Eduart Lamaj, i datëlindjes 23.04. 1990 lindur në Tiranë dhe banesë në lagjen nr.4 në Laç. Nga verifikimi vizual u konstatua se ky shtetas kishte një ndërhyrje kirurgjikale në kofshën  e këmbës së majtë që me sy të lirë evidentohej në formën e vendosjes së një pajisje hekuri.

LEXO EDHE: DOSJA/ Mjeku kuptoi që ishte plagë plumbi, policia e arrestoi Lamajn në narkozë

Është proceduar me marrjen e deklarimeve këtij shtetasi dhe ka shpjeguar se ai është autor i vrasjes së shtetasve Bujar Lika dhe Paulin Gjergji me datën 30.05.2020 në hotelin A&A. Në lidhje me mënyrën e ndodhjes së ngjarjes ky shtetas jep këtë shpjegim: Me këtë datë rreth orës 08:30 ai ka qenë në banesën e tij e cila është në afërsi të autostradës.

Ai ka marrë në telefon një shok të quajtur Klaudio ( identifikuar me mbiemrin Pepkola dhe Olti Vlashin për t’u takuar dhe për të pirë ndonjë cigare. Në vendin ku e kanë lënë dhe janë takuar edhe me një shok tjetër të tyre i cili e ka shtëpinë afër tij i quajtur Ilir Lika. Të katërt kanë hipur në automjetin e Eduart Lames të cilin e kishte regjistruar në emër të Klaudios. Pasi bënë xhiron shokët e kanë çuar në shtëpi dhe e kanë pritur jashtë banesës.

Lamaj ka marrë dy kapuçë leshi, një gri dhe një të zi dhe ka përgatitur një mushama shiu me mbishkrimin Policia. Këtë e ka bërë nëpërmjet një kartoni të prerë në këtë formë dhe me ngjyrë të bardhë. Më pas ka marrë edhe një automatik që e kishte lënë te një kabinë elektrike disa kohë më parë.

Ai i ka kërkuar shokëve të shkonin te lokali i Arjan Allamanit, t’i largonin klientët dhe t’i shkatërronin lokalin. Lamaj ka treguar se kishte një konflikt të vjetër nisur në Itali  në vitin 2007 kur Allamani i kishte vjedhur 3000-4000 euro. Përgatitja e të gjithë këtyre materialeve i ka zgjatur rreth 40 minuta”, është shprehur Lamaj.

Ai ka treguar se kur është futur në lokal dikush e ka qëlluar në këmbë, ndaj dhe është kundërpërgjigjur për t’u vetëmbrojtur.

Më pas shokët e tij e kanë nxjerrë zvarrë nga lokali për shkak se plaga që kishte marrë në këmbë nuk e lejonte që të ngrihej, por nuk ka pranuar të shkojë në spital.

Kur ka shkuar në shtëpi i ka kërkuar familjarëve të djegin rrobat, dhe më pas ka parë përmes televizorit lajmin për vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit.

Aty, Lamaj thotë se ka kuptuar se ka vrarë dy persona, të cilët ka treguar se i njihte më herët por nuk kishin pasur asnjë konflikt.

“Pasi kanë bërë këto përgatitje kanë shkuar te lokali ku ka ndodhur ngjarja i cili nga jashtë dukej me drita të fikura. Kur janë futur në bagazh kanë parë një makinë me drita të ndezura ku dukej se kishte njerëz. Është futur brenda dhe ka kërkuar me sy kamarierin. Në atë moment ka dëgjuar se në drejtim të tij kanë qëlluar me armë zjarri dhe një plumb e ka kapur në këmbë dhe e ka rrëzuar në tokë. Ka thënë se kur ka rënë në tokë ka qëlluar me automatik.

Pasi kanë mbaruar krismat ka kërkuar ndihmë. Shokët e kanë dërguar në shtëpi dhe i ka thënë familjarëve të mos shkojë në spital dhe që t’i djegin rrobat. ka qëndruar në shtëpi, ndërsa në darkë ka parë në televizor se në lokalin ku ndodhi ngjarja ishin vrarë dy persona ku dhe ka kuptuar se çfarë ka bërë. Ka thënë se i ka njohur më parë dy personat e vrarë por nuk kishte asnjë konflikt me ta”, thuhet në dosje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!