Kryeministri Edi Rama ka akuzuar kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, se nuk ndihmon për të luftuar koronavirusin.
Shefi i qeverisë përmes një postimi në rrjetin social Twitter shkruan se kryedemokrati vazhdon avazin e vjetër 7×7=42 dhe ëndërron protesta të mëdha nesër.
Ky reagim vjen pasi kreu i PD Lulzim Basha ka propozuar shtimin e testeve si një nga masat parandaluese të koronavirusit.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë ditëve të fundit i ka mëshuar fort faktit se “për të evidentuar të prekurit nga COVID-19, dhe për të shkëputur zinxhirin e transmetimit, qeveria duhet të rrisë numrin e testimeve. Numri i ulët i testimeve fsheh të vërtetën dhe kushton jetë!”
Gjatë ditëve të fundit kreu i qeverisë ka theksuar se strategjinë në lidhje me testimet e bën Komiteti i ekspertëve dhe jo vetë ai.
Postimi i Ramës:
“LBPD nuk mendon si të ndihmojë,se as nuk do as nuk di, po vazhdon avazin e vjetër 7×7=42 dhe ëndërron protesta të mëdha nesër,duke i thënë popullit sot se Covidi është Sudja me thasë me para! Shqipëria do ta fitojë këtë luftë dhe LBPD do t’i mbetet vetëm turpi e dështimi i radhës”, shkruan Rama./abcnews.al