“Edhe Zoti qan”, Ibra: Jam ende më i miri! Milani? Rinovoj, kemi një sekret

schedule17:37 - 22 Mars, 2021

schedule 17:37 - 22 Mars, 2021

Zlatan Ibrahimovic është rikthyer pas pesë viteve te kombëtarja e Suedisë. Sulmuesi i Milanit ka folur për mediat përpara dy takimeve të eliminatoreve të Botërorit Katar 2020: atë kundër Gjeorgjisë në Solna (25 mars) dhe përballjen ndaj Kosovës në Prishtinë (28 mars).

39-vjeçari, i cili numëron 62 gola në 116 ndeshje të luajtura me Suedinë, shprehet optimist në lidhje me rinovimin e kontratës me Milanin, ndalet te rikthimi në kombëtare duke theksuar se është më i miri në botë dhe nuk i kursen lotët kur pyetet për djalin e tij, Vincent.

U takuam në një dhomë: unë, trajneri dhe askush tjetër. U ballafaquam me njëri-tjetrin dhe morëm vendimin më të mirë për Suedinë. Nëse më pyesni, atëherë po deklaroj që ndihem më i miri në botë, por nuk vlen fare ajo çfarë kam bërë më parë.

 

Pioli, Ibrahimovic dhe Calhanoglu

Nuk ndodhem këtu sepse quhem Zlatan Ibrahimovic, por prej faktit që e kam merituar grumbullimin. Ndihem në formë të mirë dhe dua të jap kontributin tim në kombëtare. I kam premtuar trajnerit se do të jem vendimtar, tani duhet të flas në fushë.

Dua të vë eksperiencën time në shërbim të skuadrës. Shiriti i kapitenit? E vendos trajneri, por unë konsideroj Granqvist si kapiten. I kërkova Isak të merrte fanellën me numër 11. Ai më tha: dakord, me paktin që do të ma japësh vetë pas 6-7 vitesh…

Forsberg më ofroi numrin 10, por unë e refuzova. Milani? Jam optimist në lidhje me rinovimin. Dua të vazhdoj të luaj me kuqezinjtë dhe të përmirësohem. Projekti i klubit është emocionues. Kemi krijuar një atmosferë të bukur në skuadër, ky është shkaku pse po bëjmë mirë“, deklaroi Ibra.

Në fund nuk munguan lotët. Këtë periudhë pandemia i është dashur të jetojë larg familjes dhe malli për fëmijët është i madh. Vincent, njëri nga djemtë e tij, i ka kërkuar të mos largohet më nga Suedia.

Zlatan flet për të, duke shfaqur edhe anën humane dhe zemrën e madhe. “Vincent filloi të qante kur u largova drejt Milanos, por tani gjithçka është ok“, deklaroi legjenda e gjallë e futbollit botëror. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!