Ia dolën herën e parë pa të, por frika është e madhe. Mirlind Daku është kaq shumë i rëndësishëm për Rubinin, saqë skuadra ruse shqetësohet sesi do të luajë javët e ardhshme.
Trajneri Rashid Rahimov ka deklaruar se ende nuk dihet saktësisht sesa do të mungojë sulmuesi, ndërsa mediat ruse shkruajnë se ai ka dhimbje në ijë.
Besohet se mund të jetë e nevojshme një ndërhyrje e lehtë kirurgjikale.
Do të duhen vizita të tjera mjekësore për të përcaktuar kohën e riaftësimit, ndërsa parashikimi është që vështirë të bëhet gati për duelin e madh të 30 marsit në fushën e Zenitit, në Shën Peterburg, për Premier Ligën ruse.
Me 11 gola e 6 asiste, Daku është jo vetëm lojtari më I mirë I Rubinit, por edhe shënuesi I dytë më I mirë në kampionat.
Nëse humbet disa duele, do të jetë e vështirë që të pretendojë të fitojë Këpucën e Artë.
Mungesa e tij u ndje shumë dhe komentet për skuadrën nga Tatarstani ishin që ajo nuk mundi ta kalonte mesin e fushës, sepse në terren nuk u ndodh ylli shqiptar që e bën I vetëm repartin e sulmit.
Natyrisht, futbollisti ka humbur edhe dy ndeshjet e kombëtares në nisje të eliminatoreve të Kupës së Botës kundër Anglisë dhe Andorrës.