Edhe dy vrasje të tjera, Mbretëria e Bashkuar në alarm

schedule23:22 - 4 Mars, 2019

schedule 23:22 - 4 Mars, 2019

24 vrasje me armë të ftohta që nga fillimi i vitit kanë alarmuar Mbretërinë e Bashkuar. Autoritetet kanë premtuar marrjen e masave për reduktimin e fenomenit, që ka prekur kryesisht adoleshentët e që për momentin ngjason me një epidemi.

Dy adoleshentë mbetën të vrarë në sulme me armë të ftohta në Britani gjatë fundjavës, duke e çuar numrin e të rinjve të vrarë me thikë që nga fillimi i vitit në 24 persona dhe duke bërë që fenomeni të kthehet në shqetësim kombëtar. Ministri i Brendshëm britanik, Sajid Xhavid reagoi duke deklaruar se gjatë javës do të zhvillojë takime me krerët e policisë, në përpjekje për të gjetur mënyrat e duhura për të frenuar problemin, të cilin e cilësoi si një “dhunë të pakuptimtë”.

“Nuk mund të fshihemi përpara këtij problemi. Kemi të bëjmë me një dhunë serioze që po përçan komunitetet dhe po u merr familjeve fëmijët e tyre”, deklaroi Xhavid në një seancë parlamentare. Policia deklaron se rritja e krimeve me armë të ftohta në një vend si Anglia, ku armët e zjarrit janë të vështira për t’u gjetur, vijnë si pasojë e faktorëve të ndryshëm, mes të cilëve rivaliteti mes bandave të drogës, ai mes të rinjve, si dhe provokimet në rrjetet sociale.

Problemi është ngjitur në majat e klasifikimit të agjendës politike në Mbretërinë e Bashkuar pasi shifrat zyrtare tregojnë se vrasjet e këtij lloji arritën rekordin vitin e kaluar. Sipas të dhënave, numri i fëmijëve nën moshën 16 vjeç që kanë rënë pre e sulmeve me thikë u rrit me 93 për qind në periudhën 2016-2018.

Një pjesë e mirë e vrasjeve kanë ndodhur në lagjet e varfra të Londrës. Në të njëjtën kohë, policia britanike është përballur me një shkurtim të theksuar të stafit dhe buxhetit, në kuadër të masave anti-krizë të imponuara nga kryeministrja Theresa Mej./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!