Edevaldo Haxhiu refuzon të tregojë adresën e bosit turk të kriptomonedhës

schedule16:26 - 24 Shtator, 2021

schedule 16:26 - 24 Shtator, 2021

Nga Xhensila Kodra

Edevaldo Haxhiu, i arrestuar si personi që në vendin tonë ka përkrahur një ndër më të kërkuarit për llogari të Turqisë, Faruk Fatih Özer, i cilësuar si “bosi i kriptomonedhës” turke, nuk bashkëpunon me policinë për të treguar vendndodhjen e tij.

36-vjeçari akuzohet për përkrahje të autorit të krimit. Gjatë marrjes së pyetje, ai i pohoi hetuesve se nuk ka asnjë dijeni se ku mund të ndodhet Faruk Özer. Haxhiu ka shpjeguar më tej se për ta ndihmuar atë, ia ka kërkuar një miku i tij turk për shkak se ai dinte gjuhën turqisht.

Por për shkak se ditën që Özer vinte në Shqipëri, Edevaldo Haxhiu ndodhej në një festë familjare, i kishte kërkuar të njohurit të tij, Altjan Canajt që ta shoqëronte nga Rinasi deri në një hotel në Tiranë.

Teksa agjentët e policisë i kanë kërkuar që të tregonte se kush ishte ky miku i tij, Edevaldo Haxhiu ka thënë se “nuk i kujtohej emri”. Pak muaj më parë, policia shoqëroi për të marrë në pyetje edhe Canajt, ndërsa tashmë po hetohet në gjendje të lirë.

Faruk Fatih Özer u arratis nga Turqia duke ardhur në Shqipëri në 18 prill duke mbyllur gjithashtu shërbimet e kompanisë së tij “Thodex”, në të cilën kishin investuar më shumë se 350 mijë persona, pjesa më e madhe e tyre, turq.

Dëmi i shkaktuar ndaj tyre është 2 miliard dollarë, ndërsa një pjesë të parave ai i mban me vete në një server të posaçëm, ku mendohet se ndodhen 108 milionë dollarë në kriptomonedha./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!