Eden Hazar i jep lamtumirën Çelsit

schedule13:20 - 30 Maj, 2019

schedule 13:20 - 30 Maj, 2019

Eden Hazar prezantohet javën e ardhshme si futbollist i Realit të Madridit. Ylli belg deklaroi lamtumirën ndaj Çelsit, pas fitores në Ligën e Europës.

Do të kalojnë fare pak ditë nga kjo finale, por Eden Hazanit i dihet e ardhmja. Të hënën, numrin 10 të Çelsit e presin në “Santiago Bernabeu”, për t’u prezantuar tek Reali.

Indirekt, ai vetë e pohoi një gjë të tillë, për kamerat televizive, menjëherë pas fitores së Ligës së Europës.

“Po, mendoj se është një lamtumirë, por, nuk mund ta thuash me siguri të plotë, – u shpreh superylli belg, – Do të diskutojmë këto ditë, por deri tani unë kam menduar vetëm për të fituar finalen. Ndoshta, tani është koha për një sfidë të re. E kisha ëndërr të luaja në Premier Ligë dhe këtë e realizova në një nga klubet më të mëdhenj”.

Përpara ndeshjes, mesfushori i Belgjikës i hodhi “benzinë zjarrit” duke thënë se “im vëlla e ndërroi skuadrën, mungoj vetëm unë”.

Lajmet janë që presidenti Florentino Perez ka rënë dakord të paguajë, pa bërë zë, 130 milionë euro për kartonin e 28-vjeçarit, për të shpëtuar nga ndonjë “ankand” i mundshëm.

Vetë Hazar do të fitojë rreth 23 deri në 25 milionë euro në sezon.

“E kemi dashur Hazarin prej vitesh, – ishte deklarata e presidentit madrilen, – deshëm ta merrnim vjet pas Botërorit, por nuk mundëm. Po punojmë në një projekt, që t’i bëjë njerëzit të ëndërrojnë, që ne të kemi sërish ambicie për triumfe, diçka që unë e kam provuar në të kaluarën”.

Gazetat spanjolle dhe tifozët e Realit, thonë në një gojë se “më në fund, Madridi e mori një galaktik tjetër”.

Tani, pritet të shihet se çdo të bëhet me objektivat e tjerë të Realit, Pogbanë, Nejmarin apo Mbapenë. /ABC News Albania 24/7