Eksperti për punësimin, Erion Muça thotë se kurba e rënies së kërkesës për punësim në shërbime është normale për shkak të përfundimit të bumit turistik. Në një intervistë për “Money Report” me gazetaren Genta Dobra, ai tha se shqetësuese do të ishte nëse diferenca do të ishte më e madhe.
“Baza e prurjeve e ndikimit pozitiv në rritjen e punësimit janë shërbimet që lidhen me aspekte të punës sezonale. Mbaroi bumi i kulmit të punës në turizëm, që reflekton rënie në impaktin e peshës specifike që ka ndikimi në punësimin, që gjë reflektohet edhe në statistikat e rënies së punësimit në sektorin e shërbimeve. Jemi në dimër, ku dominon një vrull i lartë i lëvizjeve të përkohshme sezonale për punë. Këto statistika përfshijnë edhe ata që lëvizin në mënyrë të përkohshme nga një punë në një tjetër. Për mua nuk ka shqetësim. Kurba e rënies është normale dhe trend që përsëritet në këtë periudhë në 5 vitet e fundit. Nëse do të kishim marzh të lartë diference duhet të analizonim me kujdes arsyet.”, u shpreh eksperti.
Sipas tij, tregu në vend po transformohet dhe po përqendrohet te arsimi profesional.
“Shqipëria po transformon tregun e vet të punës dhe po e kthen që do të përqendrohet te arsimi profesional deri te ai i lartë. Si psh janë teknikët e lartë, që nuk quhen shkollë e lartë, që nuk arrin nivelin bachelor por janë më shumë se shkolla e mesme, gjë që do të ketë nevoja të mëdha si në turizëm apo në teknologji dhe informacion.
Për nivele të larta drejtuese është bërë më e vështirë pasi qasja dhe orientimi për vazhdimin e shkollës së lartë dhe përballja me tregun e punës, bën që në mënyrë pragmatiste shumica prej nesh të përqendrohet te detyra dhe përgjegjësia dhe të fitojë aftësi të aty për atyshme dhe t’i zhvillojë gjatë punës që bën sesa ta shohë me interes pjesën e investimit në shkencë.“, shtoi ai./abcnews.al