“E vërteta me fjalë” – Bashkimin Kombëtar apo Bashkimin Evropian, cilin duan shqiptarët?

schedule21:40 - 25 Dhjetor, 2020

schedule 21:40 - 25 Dhjetor, 2020

Bashkimi kombëtar.

Populizëm. Projekt. Synim.

Dhe më shumë se gjithçka tjetër – votë.

Në të dy anët e kufirit.

Kështu është bindja e përgjithshme. Realiteti del të jetë krejt i ndryshëm.

54% e shqiptarëve të Kosovës janë kundër bashkimit me Shqipërinë.

Për bashkim me Shqipërinë janë vetëm 37%, thuhet në një publik të Institutit RIDEA, në mars të këtij viti.

Por, sa e njohin shqiptarët njëri-tjetrin?

Dhe sa të njëjtë apo të ndryshëm janë nga njëri-tjetri?

88.7% e shqiptarëve të Kosovës thonë ta kenë vizituar Shqipërinë, sipas një raporti të vitit 2019 nga KFOS.

Ndërsa, 31.6% e qytetarëve të Shqipërisë kanë vizituar Kosovën.

Pjesa dërrmuese e vizitave lidhen me turizmin.

Më pak se 30% e shqiptarëve në të dy anët thonë se kanë miq, familjarë apo kolegë pune në shtetin tjetër.

Gjatë këtyre vizitave, 85% e qytetarëve të Shqipërisë thonë se ndihen të sigurt në Kosovë.

Nga shqiptarët e Kosovës që vizitojnë Shqipërinë, 60% e tyre ndjehen të sigurt në Shqipëri.

Edhe njohjet janë të ndryshme.

https://www.youtube.com/watch?v=SZpEcXGG1EQ&feature=youtu.be

Përderisa 81% e qytetarëve të Kosovës kanë informacione të sakta për Shqipërinë, vetëm 46% e qytetarëve të Shqipërisë e njohin Kosovën.

45% e shqiptarëve të Kosovës i shohin mediat e Shqipërisë disa herë në javë.

Derisa, 44% e atyre nga Shqipëria nuk i ndjekin pothuaj fare mediat e Kosovës.

Shumica e shqiptarëve në të dy vendet pajtohet se bashkëpunimi nuk është i mjaftueshëm.

Por, takimet e dy qeverive nuk kanë munguar.

Që nga viti 2014 janë mbajtur shtatë mbledhje të përbashkëta.

Dhe janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje. Disa prej të cilave nga dy e tre herë.

Më 2014, 13 marrëveshje dhe memorandume.

Më 2015, nëntë.

Më 2016, 7 marrëveshje.

Më 2017, 12 marrëveshje dhe memorandume.

Më 2018, nëntë.

Më 2019, tre marrëveshje.

Më 2020, 14 marrëveshje dhe memorandume.

Pra, në total janë nënshkruar 60 marrëveshje dhe memorandume mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Nga to, një raport i Institutit GAP dhe RIINVEST identifikon 53 objektiva që lidhen me tregtinë.

Të gjeturat e tij thonë se 49% e tyre janë realizuar krejtësisht, 36% janë realizuar pjesërisht dhe 9% nuk janë realizuar fare.

Në rrafshin ekonomik, shumica e shqiptarëve, në të dy anët e kufirit pajtohen që tarifat doganore duhen hequr.

Dhe, po ashtu shumica thonë se nga thellimi i bashkëpunimit fitojnë të dy vendet.

Ndoshta jo njëjtë të dy vendet. Shifrat flasin ndryshe.

Sipas INSTAT, përderisa në periudhën 2014-2016 regjistrohet rritje e numrit të ndërmarrjeve nga Kosova në Shqipëri, në periudhën 2016-2018 shënohet rënie.

Në vitin 2018, në Shqipëri kishte 11% më pak ndërmarrje nga Kosova, se një vit më herët.

Sipas të dhënave të Ministrisësë Tregtisë dhe Industrisë, në Kosovë operojnë 40 kompani me pronarë nga Shqipëria.

Bilanci tregtar për periudhën 2015-2019 favorizon Shqipërinë.

Shkëmbimi total mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte 804 milionë euro.

Prej tyre, eksporte të Shqipërisë 617 milionë euro. Ndërsa, të Kosovës 147 milionë euro.

Jo edhe aq njëjtë, apo jo?

Të njëjtë, më shumë se gati gjithçka tjetër, shqiptarët në të dy anët e kufirit i kanë armiqtë.

Të ulët e kanë besimin në mundësinë e bashkimit.

Vetëm 23% e shqiptarëve të Shqipërisë dhe 17% e shqiptarëve të Kosovës e shohin si të mundur.

Dhe, të ngjashme e kanë zgjedhjen mes Bashkimit Kombëtar dhe Bashkimit Evropian.

Shumica e shqiptarëve do ta zgjidhnin Evropën para njëri-tjetrit.

Bashkim.

Çfarë bashkimi?

Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!