“E vërteta ime”, Luftar Hysa flet pas akuzave për lidhje me kartelin meksikan: Sulmet, të sponsorizuara nga konkurrentët në tregun e kazinove

schedule21:14 - 16 Shtator, 2022

schedule 21:14 - 16 Shtator, 2022

Luftar Hysa e gjeti veten dje dhe sot, personazh të mediave në Shqipëri, si një bos trafikant që pastronte nëpërmjet kazinove paratë e krimit të bosëve të drogës në Sinaloa.

E ndërsa përpiqej të kuptonte çpo ndodhte, skema e publikuar në një media spanjolle, po bënte xhiron e medias shqiptare.

Kërkoi të reagonte menjëherë. Luftari, ndryshe nga ç’mund të imagjinohet një trafikant që merret me drogë, ishte veshur thjesht me një T-shirt, kur foli me newsbomb.al.

E duke treguar historinë e jetës së tij, herë- herë, sytë i mbusheshin me lot. Mesoburri nga Belshi, dikur kishte shërbyer si kryetar PD në Belsh. Por, siç ndodhi në 1997, bandat e Cerrikut, ia kishin vënë syrin për ta “asgjesuar” siç tregon vetë ai. Ndaj, u detyrua të merrte rrugën e emigrimit, e në shtëpi, la bashkëshorten, dhe familjarët e tjerë.

Rrugëtimi i tij është i gjatë, në emigracion, me halle e vështirësi si çdo shqiptar që ka dalë jashtë vendit atyre viteve. U nis dhe shkoi në Afrikën e Jugut, aty ku mendonte se do ta prisnin njerëzit e mbretit. Por, asgjë e tillë. Një javë pa bukë e pa ujë, dhe ndihma e parë i erdhi nga një greke, dhe punët e para, ishin të rëndomta. Që aty, filloi rrugëtimin për të kërkuar punë e mundësi të reja.

Sot Luftari dhe 3 vëllezërit e tjerë të tij, (madje siç thotë më i vogli është në Belsh akoma së bashku me nënën mbi 90 vjeçare që nuk do të lërë në asnjë moment shtëpinë e saj), janë biznesmenë të suksesshëm, jo vetëm në Meksikë ku ishte fundorja e udhëtimit të tyre që e sqaron në një deklaratë për median, por në disa vende të botës.

“Po, unë punoj me kazinotë, është e vërtetë. Po kudo ku kam hapur kazino, të jeni e bindur e nderuar gazetare, se kam kaluar gjithë filtrat e shteteve ku kanë shkuar. E si mund të njollosen njerëzit që punojnë kështu” thotë me zhgënjimin që nuk ndalet zoti Hysa.

Si u bë trafikant droge

E gjeti veten brenda një skeme të mirëfilltë bashkëpunimi me trafikantet e drogës. Gazeta meksikane “El Universal” zbardhi (sipas saj) një raport të autoriteteve antitrafik të Meksikës, ku thuhej se karteli i Sinaloas ka lidhur aleancë me mafien shqiptare dhe është duke pastruar masivisht para në Shqipëri. Sipas autoriteteve meksikane, lideri i kartelit Ismael Zambada García, i njohur si El Mayo, ka krijuar lidhje të ngushta me vëllezërit shqiptarë Luftar, Arben, Fatos dhe Ramiz Hysa.

“E paimagjinueshme”, thotë Luftari ndërsa tregon se gazetarët shqiptarë, madje edhe qytetarët shqiptarë, nuk e dinë sesi funksionon mafia e drogës në atë shtet. “Unë dhe El Mayo? Po nëse do të ishte kështu, si paskam punuar në disa nga shtetet ku unë kam sot e gjithë ditën aktivitetin tim të biznesit, duke punësuar mbi 3000 persona” sqaron më tej Hysa.

Kur e pyes se pse nuk e ka paditur deri tani gazetën meksikane që ka publikuar së pari lajmin, Hysa thotë se ndryshimet me orare janë 7 orë. E ndërkaq, në Meksikë, ka tre ditë pushim për festën kombëtare. “Por avokatët e mi, po merren me gjithë procedurat ligjore dhe do vazhdojnë ta ndjekin deri në fund këtë çështje. Për mua, nuk është as më shumë e as më pak një luftë konkurence, për luftën e tregut të kazinove në Shqiperi, dhe meqë kemi aplikuar, të na dëmtojnë imazhin”.

Mund të jetë e vërtetë, për sa kohë që tre kazinotë që operojnë në Tiranë, janë nën petkun e një kompanie, edhe pse paraqiten me emra të ndryshëm. Nuk dihet sesa do të dëmtojë kjo punën e Luftarit, që ka mbi 20 vjet që merret me kazinotë. E sigurt është, se ai tani po punon për imazhin.

Dhe të mendosh, që bëhet fjalë për një treg me miliona e miliona euro, dhe të tilla sulme, nuk është e pamundur që të bëhen.

Ndaj Luftari vetë, që gjendet në Shqipëri, madje që nuk e njeh kush për fytyrë sepse edhe mund ta kenë harruar, ka përpiluar një deklaratë, e vazhdon të kërkojë që mediat, online e televizive, të mos përfshihen në akuza të pabaza që prishin imazhin e tij, të familjes, madje edhe të punës që ka bërë deri tani, për të cilën thotë se e ka ngritur me shumë mund e djersë.

Deklaratë: 

Ditën e djeshme, në media të ndryshme të vendit tim është publikuar një histori e pavërtetë që implikon personin tim dhe familjen time në aktivitete ilegale.

Për ata qe kanë jetuar në Shqipëri dhe ndoshta nuk kanë dalë më tej, për ata që harruan 1997, që nuk mbajnë mend ambasadat e 1990 dhe eksodin e 1991, ikjet masive dhe varfësinë e tejskajshme ju sqaroj si më poshtë:

Unë, shtetasi Luftar Ali Hysa, me profesion inxhiner dhe me një familje tipike intelektuale hedh poshtë në mënyrë kategorike pjesëmarrjen time dhe të familjes sime në çfarëdolloj aktiviteti illegal.

Unë, shtetasi Meksikan Luftar Ali Hysa kurrë i dënuar, kurrë i proceduar, kurrë i shoqëruar deklaroj se kurrë në jetën time nuk kam pasur asnjë problem me drejtësinë. Të gjitha problemet e mia në jetë janë më padrejtësinë.

Si Shqiptar i viteve të vështira, jam një nga të shumtët që ika në ato ikje masive nga halli, duke mos ditur ku iknim të pa nxënë, të paveshur dhe të varfër por me një shpresë e besim që një ditë ndoshta do kishim mundësi të ktheheshim në vendlindje me më shumë mundësi për të takuar fëmijë, familje e të tjerë që lamë pas.
Për ata që ndoshta nuk e dinë ne u ballafaquam me diskriminimin dhe përbuzjen e madhe ndaj kombit tonë. Ne me aq sa kishim, me aq sa mundëm, aq sa dinim, ulëm kokën punuam fort jo për veten tonë po për ata që kishim lënë pas. Duke ulur kokën, duke punuar fort dhe duke sakrifikuar shumë ne bëmë krenar veten dhe ata që lamë pas.

Në kërkim të më shumë mundësive, të një të ardhme më të mirë në vitin 2004 emigrova në Meksikë. Më shumë lumturi pohoj se në Meksikë kam gjetur vend dhe jam mirëpritur në mënyrë vëllazërore nga persona me inegritet të lartë qytetar dhe profesional, me një trajektore të pacënueshme të zhvillimit, të cilët më  ndihmuan të zhvilloj një aktivitet legal dhe serioz, më mundëson  të jetoj në mënyrë dinjitoze  në shoqërine e familjarëve dhe miqve të mi.  Falë këtij historiku unë dhe familjarët e mi jemi sot shtetas Meksikanë.
Në mënyrë të trishueshme, interesat e konkurencës jo të ndershme të personave që i kam identifikuar qartësisht mund të çojnë në prishjen e imazhit të një personi dhe të një familjeje që ditë pas dite punojnë me të gjithë fuqitë për tu pozicionuar në një vend më të mirë duke konkuruar denjësisht.
Publikimi i këtij artikulli nuk ësht asgjë me shumë se një përpjekje imorale dhe intrigante për të eleminuar pikërisht konkurencën. Më duhet të përmend që nuk kam asnjë dijeni të asnjë investigimi nga qeveria Meksikane kundrejt personit tim, kompanive, vëllëzërve, punëtorëve, bashkëpunëtorëve madje të asnjë  personi me të cilin kam bashkëpunuar për të zhvilluar aktivitetin tim.

Sa më sipër dua të informoj opinionin publik se kompanitë që unë përfaqësoj dhe të ardhurat e tyre janë 100% legale, të autorizuara per operim nga qeveria Meksikane. Këto kompani nuk kanë të bëjnë me asnjë aktivitet illegal, aq më pak me pastrim parash dhe me kartelet e Meksikës.
Për këtë përfaqësuesit e mi ligjorë po punojnë për zbardhjen e e plotë të këtyre lajmeve disinformuese dhe përbaltëse, për vendosjen në vend të të drejtës.  Përgjegjësit e këtij artikulli të pështirë kanë si qëllim përbaltje dhe eleminimin e konkurencës por do të mbajnë përgjegjësitë përkatëse pranë organeve kompetente.

Atë ditë që dola nga Shqipëria kisha të vetmin qëllim të ngrihesha nga varfëria e këtij vendi për veten dhe familjen, të kërkoja mundësi të reja zhvillimi. E kam vendosur ballin lart përpara botës për kombësinë time dhe kam  gjithnjë krenar. Me po aq krenari dua të përmend sot se në kompanitë që unë dhe vellai im kemi krijuar punësojmë më tepër se 1500 punonjës vetëm në Meksikë.

Ndihem po aq krenar sot që duke pasur gjithnjë të drejtën me vete dhe në saj të mundit, punës së ndershme dhe superimit të sfidave kam mundur ta ngrij sado pakëz emrin e kombit, të kthehem po me kokën lart, dhe të investoj në vendin që e dua aq shumë.

Në fund ti them të gjithë atyre të rinjve që po na lexojnë, rruga drejt suksesit do ketë gjithmonë sakrifica dhe sulme nga më të pështira nga konkurenca apo dashakeqësia. Modelet e suksesit nuk duhen gjendur kurrë tek aktivitetet ilegale por tek puna dhe përpjekjet për të ecur para.

Dëshiroj të informoj mediat, dhe tu kërkoj që sulme të tilla të mos përsëriten. Në të kundërt, do të më duhet të drejtohem në gjykatë për të kërkuar të drejtën time dhe të familjes sime.

Ftoj mediat të publikojnë deklaratën time, siç bënë publikimin e akuzave të paprovuara.

Luftar Hysa                                                                                            16/09/2022

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!