E vërteta e anulimit të gazsjellësit amerikan, flasin ministrja e Kosovës dhe SHBA

schedule18:28 - 1 Tetor, 2021

schedule 18:28 - 1 Tetor, 2021

Ministrja e Ekonomisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, të enjten në një konferencë për media ka potencuar se Kosova ka kërkuar informacione shtesë nga MCC-ja për projektin gazsjellësit. Ministrja ka thënë se një gjë të tillë e kanë bërë për të qenë në gjendje të marrin një vendim të mirinformuar për një projekt të tillë.

Ndërkohë Qeveria e Kosovës, siç ka treguar ministrja Rizvanolli, ka vendosur që të ecë përpara në projektet e propozuara nga MCC-ja, por që kanë më shumë siguri e që kontribuojnë në tranzicionin energjetik të Kosovës.

“Duke pasur parasysh afatin kohor strikt për të zhvilluar dhe nënshkruar Programin e Kompaktit, dhe që Qeveria e Kosovës kërkon informata të mëtejshme për të qenë në gjendje të marrë vendim të mirë-informuar për të ndërtuar infrastrukturën e gazit, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të përdorë programin kompakt për investime në projekte që kanë më shumë siguri, por që gjithashtu kontribuojnë në mënyrë domethënëse drejt tranzicionit energjetik të Kosovës”, ka thënë ministrja.

Lidhur me këtë Express ka dërguar pyetje në adresë të zyrave qendrore të MCC-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Marc Rockwell-Pate, i ka thënë Gazetës Express se janë vendet partnere ato që zgjedhin, zhvillojnë dhe implementojnë grantet për projektet.

“Një parim themelor i modelit të MCC-së është ai i shtetit si pronar, që nënkupton se vendet partnere përzgjedhin, zhvillojnë dhe implementojnë granatet për projektet”, ka thënë Rockwell-Pate për Gazetën Express.

Ai tutje ka shtuar se filtrimi i listës së investimeve potenciale “është një hap pozitiv përpara drejt finalizimit dhe nënshkrimit të Kompaktit në mes të Kosovës dhe MCC-së”.

“MCC pret me padurim të vazhdojë partneritetin tonë me Qeverinë e Kosovës ndërsa punojmë për të reduktuar varfërinë dhe për të nxitur rritjen ekonomike të qëndrueshme dhe përfshirëse”, ka përfunduar Rockwell-Pate.

Për projektin, Express ka kërkuar përgjigje edhe në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Një zëdhënës i kësaj ambasade ka thënë se është Qeveria e Kosovës ajo që vendos dhe përzgjedh se cilat investime përfshinë në kompaktin potencial në mes të MCC-së dhe Kosovës.

“Vendi si pronar është një prej themeleve të modelit të MCC-së. Kjo do të thotë se investimet e zgjedhura për përfshirjen përfundimtare në një kompakt potencial MCC-Kosovë duhet të zhvillohen dhe të vendosen nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë ky zëdhënës.

Ky zëdhënës ka thënë se “në muajt në vazhdim MCC dhe Qeveria e Kosovës do të ndërmarrim hapat e tjerë për finalizimin e propozimeve”.

Ministrja Rizvanolli ka folur edhe sot lidhur me këtë çështje dhe ka konfirmuar se kanë vendosur që grantin e MCC-së ta shfrytëzojnë për investime të tjera që gjithashtu ndërlidhen me fushën e energjisë dhe de-karbonizimin.

“Grantin kemi vendosur ta shfrytëzojmë në investime të tjera që ndërlidhen me de-karbonizimin”, ka thënë në KTV ministrja Rizvanolli.

“Nëse gazi duhet të përdoret si lëndë djegëse në tranzicion është pikëpyetja më e madhe që e kemi pasur, derisa në vendet tjera janë duke menduar për tranzicion nga gazi. Gazi nuk është e vetmja formë për diversifikim. Synimi është për dekarbonizimin e sektorit, t’i heqim nga përdorimi lëndët fosile nga përdorimi. Nëse është opsioni më i mirë për Kosovën, kjo ende nuk është e qartë”, ka thënë tutje ministrja Rizvanolli.

“Nëse është më mirë që të përdorim gazin, apo është më mirë që të synojmë tranzicion direkt tek burimet e ripërtrishme të energjisë, do ta studiojmë gjatë muajve në vijim. Ndërkohë që synimi është tek burimet e ripërtritshme të energjisë. Prandaj kemi vendosur që investimet përmes këtij kompakti, ti bëjmë duke mos gabuar”, ka sqaruar tutje ministrja Rizvanolli.

“Ky ka qenë një projekt për të cilin është bërë procesi i parafizibilitetit, por mjetet s’kanë qenë të dedikuara specifikisht për këtë. Duhet ta kemi të qartë një gjë. MCC është një agjenci zhvillimore, s’është Qeveria Amerikane. Nuk kemi të bëjmë këtu me kërkesë. Është bërë një studim nga ana e MCC’së, dhe e kanë identifikuar sektorin e energjisë si një pengesë. Kjo ka qenë duke u studiuar”, ka thënë ndër të tjera.

“Presioni kohor për të marrë një vendim për mënyrën e shfrytëzimit të programit kompakt ka ekzistuar. Vendimi ka qenë shumë objektiv dhe e kemi kuptuar MCC-në dhe i jemi shumë mirënjohës”, ka thënë Rizvanolli.

“Vendimi i marrë dje nuk ka qenë vendim final për të mos e ndërtuar projektin e gazit. Nese vjen puna qe do te marrim vendim per ndertimin e gazsjellesit, do të jemi te sigurt që është vendimi i duhur dhe që është me kosto të përballueshme”, ka potencuar tutje ministrja, Artane Rizvanolli./GazetaExpress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!