E veja e ish spiunit të vrarë rus flet për metodat e helmimit të Kremlinit

schedule09:41 - 21 Shtator, 2018

schedule 09:41 - 21 Shtator, 2018

E veja e një ish agjenti të KGB-së, që u helmua me lëndë radioaktive në vitin 2006, thotë se përgjigja e menjëhershme mjekësore dhe diplomatike e Britanisë ndaj sulmit me agjent nervor ndaj ish spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij, tregon për përmirësim në trajtimin e situatave të ngjashme nga zyrtarët britanikë.

Rasti i Skripalëve shpesh është krahasuar me atë të Alexander Litvinenkos, ish oficerit të KGB-së të shndërruar në agjent britanik dhe kritik të hapur të presidentit rus Vladimir Putin.

Litvinenko u nda nga jeta më tepër se një dekadë më parë, me një vdekje të mundimshme, disa ditë pasi kishte pirë çaj, ku i kishin hedhur lëndën radioaktive helmuese polonium-210, në një hotel të Londrës. Mjekëve britanikë iu desh kohë e gjatë ta identifikonin substancën që shkaktoi vdekjen e tij.

Në një intervistë për shërbimin rus të Zërit të Amerikës, Marina Litvinenko, e veja e Aleksandrit, u pyet nëse zyrtarët britanikë të sigurisë kishin bërë sa duhet për të parandaluar, ose të paktën për t’u përgatitur për një sulm të ngjashëm.

Ajo tha se kur mësoi, që një tjetër ish spiun rus, ishte sëmurur rëndë në mënyrë misterioze në Britani – Skripali dhe vajza e tij u gjetën pa ndjenja në një stol në qytetin Salisbury të Anglisë marsin e kaluar – ishte ndjerë e shokuar dhe “tepër e dëshpëruar”.

“Por në këtë rast, gjithshka ishte ndryshe, nuk kishte nevojë të shpjegoje se ç’po ndodhte” – tha ajo.

Kur bashkëshortin e saj e patën shtruar në spital, në nëntor të vitit 2006, mjekët fillimisht patën thënë se helmimi kishte ndodhur për shkak të një viroze të rëndë në stomak, ose ngaqë mund kishte gëlltitur një kimikat. Marina tha se përpjekjet e saj të vazhdueshme, për të shpjeguar mundësinë e një tentative të maskuar për vrasje, kishin shkuar në vesh të shurdhët.

“Mjekët nuk kishin fare idenë përse flisnim ne. Kur u përpoqëm të shpjegonim se ne nuk ishim thjesht refugjatë politikë, por se Aleksandri kishte patur një konflikt serioz me një agjenci speciale të zbulimit rus, reagimi i tyre ishte sikur ne jetonim në një planet tjetër. Jo se nuk na besonin – ata thjesht nuk ishin në gjendje të kuptonin se përse bëhej fjalë,”- tha Marina.

Në rastin e Skripalit, megjithatë, “nuk ishte e nevojshem të shpjegohej se ç’po ndodhte”, pjesërisht për shkak të statusit të tij zyrtar në raport me autoritetet britanike. Zonja Litvinenko tha se ndryshe nga rasti i saj, që e kishte informuar zbulimin britanik në kapacitet jo-zyrtar, Skripali, kishte marrë azil në kuadrin e shkëmbimit të spiunëve, që do të thotë se zyrtarët e sigurisë dhe analistët mjeko-ligjorë ishin shumë më mirë të përgatitur për të kuptuar skenën e krimit dhe për të përcaktuar skenarin që mund të kishte ndodhur.

Konfirmimi i menjëhershëm i të kaluarës së Skripalit, thotë ajo, po ashtu i përgatiti specialistët e mjekësisë të shqyrtonin mundësinë e përdorimit të ndonjë substancë jashtëzakonisht të rrallë.

“Nuk kishte nevojë të provohej se kush donte ta helmonte Skripalin, apo arsyeja përse.” – tha ajo, duke shtuar se: “Megjithëse nuk ishte e informuar për ndonjë mekanizëm zyrtar për mbrotjen e spiunëve të arratisur nga përpjekje për t’u helmuar në të ardhmen, Britania e Madhe ka treguar se ka nxjerrë mësime nga ky rast.”

Përgjigja diplomatike

“Vetëm një javë pas helmimit të Skripalëve, pati një reagim tërësisht të ndryshëm nga ai në rastin tonë” – tha në intervistën për Zërin e Amerikës zonja Litvinenko. “Kryeministrja Theresa May bëri një deklaratë publike mjaft të ashpër, por do të ishte gabim të thuhej se ajo e akuzoi menjëherë Rusinë. Nuk ndodhi kështu. Ajo tha thjesht se kishte dyshime dhe se ishte e rëndësishme që Rusia të sillte menjëherë fakte se nuk e kishte kryer ajo helmimin. Dhe çfarë pamë? Përgjigje të zemëruara nga zyrtarët rusë, që thonin se rusët nuk kishin të bënin aspak me këtë rast”.

Ndërsa Britania filloi një hetim zyrtar për sulmin kimik të Salisbury-it, për të cilin ekspertët zbuluan se ishte kryer me një agjent nervor të periudhës sovjetike, të quajtur “Novichok”, Rusia, tha zonja Litvinenko, nuk pranoi të diskutonte mundësinë e ndarjes së informacioneve, që mund të kërkonte që ekspertët e huaj të kërkonin në laboratoret e armëve kimike të Rusisë.

“Pastaj erdhi një reagim ndërkombëtar”, – tha Litvinenko. “Mënyra se si Britania pati menjëherë mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së; dëbimi masiv i diplomatëve ishte mbresëlënës. Asgjë e ngjashme nuk ndodhi pas helmimit të burrit tim. Po ashtu, mënyra se si Britania filloi të trajtojë paratë e investitorëve rusë: invesimet e mëdha ruse tani verifikohen dhe trajtohen me seriozitet të madh. Kjo është e rëndësishme të kuptohet…që njerëzit që përfitojnë nga regjimi rus nuk duhen prauar në vendet e civilizuara, thjesht si njerëz që kanë para.

Nuk dua aspak të them që të gjithë nejrëzit me para janë hajdutë. Por kur themi se ky regjim përbën kërcënim dhe këta njerëz bëjnë shumë para, thjesht ngaqë kanë lidhje me regjimin dhe jo ngaqë janë të talentuar, jo ngaqë kanë krijuar bizneset e veta…këta njerëz duhet ta kuptojnë se nuk mund t’i shpenzojnë paratë e tyre – para të vjedhura, në se më pyesni mua, në Amerikë, apo në Europë.”- tha Marina Litvinenko.

Tregjet e pasurisë së patundshme në Londër, Nju Jork dhe Miami, janë që të gjitha, edhe pse në nivele të ndryshme shqyrtimi, të njohura për transaksione në shuma të pazakonta parash, që hyjnë në mënyrë anonime përmes kompanive-fantazmë, që realizojnë pastrim parash; ato shpesh zbulohen se i përkasin investitorëve të pasur nga Rusia, ose nga ish republikat sovjetike.

Rusia ka mohuar me forcë të ketë patur rol në sulmet në tokën britanike, një mohim që ka patur edhe familjarë të të dy viktimave që ta kenë mbështetur.

Për shembull, në vitin 2012, Walter Litvinenko, babai i spiunit të helmuar rus, u shfaq në televizionin rus RT, në krah të Andrei Lugovoit, personi që Britania e akuzoi se i kishte helmuar të birin, për të mohuar idenë e shprehur më parë, se djalin ia kishte vrarë zbulimi rus, me urdhër të drejtpërdrejtë të Vladimir Putinit.

“Unë mendoj se Walterin e përdorën,” i tha Marina Zërit të Amerikës. “Ai sapo kishte humbur të shoqen. Ndodhej në një situatë financiare të vështirë, në mërgim, në Itali. Unë mendoj se zyrtarët rusë të zbulimit i kishin thënë se Aleksandri kishte bashkëpunuar me agjentët britanikë, duke i dhënë atij kështu një justifikim për t’u kthyer në Rusi dhe t’i lutej presidentit që ta falte.”

Gjatë të njëjtit emision televiziv, që u transmetua edhe nga televizioni shtetëror rus “Channel One”, babai i Litvinenkos, i cili kishte qenë mjek në një nga gulagët e periudhës sovjetike dhe tani banonte në një pallat për të moshuarit në Moskë, i cilësoi të arratisurit rusë në Britani, “pengje” të agjencive perëndimore të spiunazhit.

Lugovoi, të cilin Rusia ka refuzuar për një kohë të gjatë që ta ekstradojë, fajësoi për vrasjen e Litvinenkos në vitin 2006 Alexander Goldfarin, mik i afërt i Litvinenkos, për të cilin ai tha se ishte oficer kundërzbulimi i CIA-s i ngarkuar me detyrën për të punuar me operativët rusë.

Rreth një vit para intervistës në televizionin RT, Lugovoi u bë anëtar I parlamentit rus, Dumës, duke përfaqësuar Partinë Liberal-Demokrate, aleate e Kremlinit, duke siguruar kështu imunitet për jetë nga ndjekja ligjore në vendin e tij.

Goldfar kohët e fundit ngriti padi për shpifje në një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara, ku akuzonte të dyja rrjetet ruse, RT dhe Channel One, se kishin transmetuar qëllimisht raporte çorjentuese lidhur me rrethanat e vdekjes së Litvinenkos. Në aktakuzë thuhet se mbulimi nga televizioni RT i rastit të Skripalit, që vazhdimisht prek vrasjen e Litvinenkos, është pjesë e një fushate të motivuar politikisht nga Kremlini, për të shmangur përgjegjësinë e autorëve të vërtetë të të dy sulmeve.

Padi për shpifje

Përfaqësues të televizionit RT bënë një deklaratë publike, ku thuhej se janë në procesin e rishikimit të ankesës.

Në fillim të vitit, Viktoria Skripal, mbesa e spiunit të helmuar në Salisbury, foli disa herë në radiot ruse, duke shprehur skepticizëm lidhur me mënyrën se si Britania e trajtoi hetimin e xhaxhait të saj, duke lënë të kuptohet se agjencia britanike e zbulimit, MI5, e kishte manipuluar kushërirën e saj, Yulia-n, e cila kishte refuzuar ofertën për ndihmë nga ambasada ruse në Londër, pasi ishte helmuar së bashku me të atin.

Më 3 korrik, mbesa e Skripalit, u shfaq në televizionin rus, për të njoftuar se kandidatura e saj për zgjedhjet e Dumës në rajonin Yaroslavl, ishte mbështettur nga partia pro-Kremlinit “Just Russia”.

“Këto veprime vazhdojnë të bëjnë agjencitë ruse të zbulimit”, – i tha Zërit të Amerikës zonja Litvinenko. Ajo shpjegoi se në komunitetin rus të spiunazhit, ka qenë një metodë e zakonshme kundërvënia e anëtarëve të së njëjtës familje ndaj njeri tjetrit.

“Ata gjejnë një person që mund të ndikohet me lehtësi, që i kupton përfitimet e pozicionit të vet.” – tha ajo. “Si Viktoria, edhe Walter Alexandrovich, ndodheshin në situatë të vështirë, kështuqë atyre ju dha mundësia për ta përmirësuar atë. Tani të dy ata kanë rroga dhe

Walter Alexandrovich ka edhe një apartament në Moskë. Ndërsa Victoria Skripal do të kandidojë për Dumën e Yaroslavlit.” Marina Litvinenko shtoi me një ton sarkastik. “Ky është një fillim i shkëlqyer për karrierën e saj.”/Zëri i Amerikës