“E shikoni çfarë familje”, Ardi Veliu takon Zaida Çobon pasi i publikoi videon me armë

schedule17:17 - 7 Qershor, 2020

schedule 17:17 - 7 Qershor, 2020

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu i ka kërkuar ndjesë publike Zaida Çobos, nënës së 14-vjeçarit të dhunuar tek liqeni Artificial.

Veliu ka pritur sot Çobon në zyrën e tij duke u përpjekur të sqarojë kontekstin e komentit të bërë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku përdori etiketime morale duke nxjerrë edhe një video të marrë nga profili i saj personal në rrjetet sociale.

“Sot u takuam me zonjën Zaida Çobo, e cila me të drejtë u ndje e lënduar nga komenti im që mori edhe shumë kritika publike. Dëshiroja që ndjesën time publike t’ia bëja zonjës personalisht dhe më vjen mirë për mirëkuptimin e saj.

Përfitoj nga rasti ta përsëris edhe njëherë që jam i keqardhur për komentin tim dhe shpresoj që të jetë kuptuar nga të gjithë që ato fjalë nuk kishin qëllim fare të justifikonin policin (i cili është pezulluar menjëherë pas ngjarjes).

Po ashtu nuk më ka shkuar kurrë mendja të lëndoj zonjën apo familjen e saj me atë koment. Ndjesë edhe njëherë!” – u shpreh Veliu pas bisedës, njofton Policia e Shtetit.

Lexo edhe: “15 vjeçari vinte nga familje problematike”: Pamjet e nxjerra nga Veliu ishin nga një film

Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, teksa u pyet për dhunimin e djalit të mitur me pretendimin se kishte thyer karantinën, Veliu nxorri një video të saj me armë në dorë, duke përdorur etiketime morale për familjen e saj.

Videon e publikuar nga Veliu rezultoi të ishte e shkëputur nga një film ku Çobo kishte marrë pjesë nga aktore.

Komenti ngjalli reagime të shumta në rrjet, ndërkohë që Çobo ngriti edhe një padi ndaj Veliut.

Lidhur me këtë episod reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili pavarësisht se e quajti të gabuar gjestin e kryepolicit, u shpreh se ishte i prirur t’i besonte ndjesës së tij.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!