A kemi tolerancë të vërtetë në Shqipëri? Jemi tolerantë vetëm në besimet fetare? Ishte kjo tema e bisedës sot në “ABC e Pasdites” me moderatorin Ermal Peçi.
Aktivistja Sevim Arbana tha se shqiptarët janë mësuar të jetojnë me besimet e ndryshme për shkak të pushtimeve të shumta dhe u është dashur të mbijetojnë. Në të vërtetë sipas saj, nuk janë aspak tolerantë pasi nuk janë besimtarë te mirëfilltë.
“Është në harmoni sepse nuk jemi besimtarë të mirëfilltë, flas në shekuj. Tolerancën fetare në Shqipëri shyqyr që e trumbetojmë sepse është e vetmja gjë e mirë që ne mund të shesim jashtë”.
Nga ana tjetër themeluesi i CRCA-së Altin Hazizaj tha se ndonjëherë duhet shpresuar ndonëse mund të mos jetë detyrimisht e vërtetë. Po ashtu ai iu bashkua mendimit të konvertimit në fe të ndryshme në periudha të ndryshme detyruar nga kushtet sociale. Sot sipas tij, shqiptarët kanë zgjedhur atë fe që i përshtatet.

“Duhet shpresuar ndonjëherë, pavarësisht nëse detyrimishtë është e vërtetë. Unë mendoj që njerëzit kanë gjetur në mënyrë praktike atë fe që iu është përshtatur”.
Në këto biseda të “forta” në argumenta moderatotri Ermal Peçi pyet nëse “feja nxit intolerancën”.
Pedagogia Iris Luarasi tha se librat fetare në vetvete kanë tolerancën, por nuk mungojnë zërat sporadike brenda komuniteteve fetare.
“Mund të ketë zëra sporadikë brenda komuniteteve fetare. Por po ti shohësh librat fetare në thelb dhe kur ti bisedon me teolog që kanë mbaruar shkolla të shkëlqyera, qoftë për kristianizmin qoftë për myslimanizmin, ti shikon që është totalisht ndryshe nga ajo që dëgjon apo që është predikuar”.

