E rrallë/ Vrojtohet lloji i ri shpendi në peisazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë

schedule22:50 - 2 Nëntor, 2019

schedule 22:50 - 2 Nëntor, 2019

Shumëllojshmëria e botës së gjalllë në Shqipëri është një nga arsyet që vendi ynë cilësohet si i veçantë.

Për të dytën herë brenda muajit tetor, lista e shpendëve të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë pasurohet me një lloj të ri. Këtë radhë bëhet fjalë për laroshen e kuqërremtë (Tadorna ferruginea).

Vrojtimi pararendës për këtë lloj në vendin tonë është raportuar nga Shoqata Ornitologjike Shqiptare në vitin 2017, ku një individ i tillë është fotografuar në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Në këtë raportim përmendet se edhe në vitin 2014 është gjetur një individ i vrarë i këtij lloji. Raportime të mëhershme, për këtë lloj në vendin tonë pothuajse mungojnë tërësisht edhe pse lloji është i përfshirë në pak lista apo publikime mbi shpendët e Shqipërisë. Kësisoj, ky vrojtim mund të përfaqësojë të tretin në vend për këtë lloj.

Greqia dhe Bullgaria janë vendet më në perëndim të Evropës ku ky lloj është raportuar si folezues. Laroshja e kuqërremtë ka një shtrirje shumë të gjerë folezimi në të gjithë Azinë, në Lindjen e Mesme si dhe në disa vende bregdetare të Afrikës mbi-Ekuatoriale. Nëse dikush e ka hasur apo ka informacion mbi vrojtime të tjera të këtij lloji në vendin tonë është i lutur të ndajë me ne informacionin.Faleminderit! Shpendët e Shqipërisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!