Flamengo ia doli të fitojë 2-1 përballë Internacional mbrëmjen e kaluar, një sukses me aromë titulli. Ishte java e parafundit e kampionatit brazilian dhe kuqezinjtë numëronin një pikë më pak se kundërshtari. Fitorja ishte alternativa e vetme dhe Flamengos i mjafton të fitojë në javën e fundit jashtë fushe kundër Sao Paulo.
Një ngjarje e veçantë ka ndodhur përpara fillimit të sfidës. Rodinei luan si mbrojtës i djathtë, kartonin e tij e zotëron Flamengo, teksa këtë sezon është huazuar tek Internacional. Në akordin mes klubeve ishte shtuar edhe një klauzolë e veçantë.
Internacionali duhet të paguante 1 milion dollarë brazilianë (rreth 185 mijë dollarë) në mënyrë që 29-vjeçari të aktivizohej në ndeshjen kundër Flamengos, klubit që i zotëron kartonin. Lojtari nuk mund të mungonte në finalen e madhe të titullit dhe gjithçka u zgjidh nga Elusmar Maggi.
Ky i fundit është një biznesmen i njohur në vendin e madh latin. Familja e tij është e shtata më e pasura në Brazil, teksa llogaritet që kanë një pasuri prej 4.9 miliard dollarësh. Maggi është një tifoz i zjarrtë i Internacional dhe vendosi të paguante “gjobën” prej 1 milion dollarësh.
Paratë përfunduan në arkat e Flamengos dhe Rodinei zbriti në fushë si titullar. Për fatin e keq të tij dhe të Internacional, ndeshja e anësorit të djathtë zgjati vetëm 49 minuta. Takimi ishte 1-1 dhe Rodinei u largua me të kuqe duke lënë me dhjetë lojtarë ekipin e tij.
Flamengo shfrytëzoi superioritetin numerik dhe 14 minuta më vonë gjeti golin e fitores së madhe me anë të Gabriel Barbosa. 1 milion dollarë të shkuara dëm, por manjati Maggi nuk dorëzohet dhe beson akoma te titulli kampion. Ai ka deklaruar se do t’i dhurojë premio Sao Paulos për të frenuar Flamengon në javën e fundit. /abcnews.al