“24 korriku, dita e instalimit të monizmit të plotë të Edi Ramës në Shqipëri.” Ky ishte qëndrimi i mbajtur nga Partia Demokratike me në krye Sali Berishën ndërsa sot betohej kreu i ri i shtetit në Parlament.
Ajo pjesë e PD-së që mbështet kreun Sali Berisha kryesisht nuk ndodhej sot e pranishme në Kuvend, përpos deputetes demokrate Ina Zhupa.
Në një deklaratë të dhënë për mediat pas ceremonisë së betimit, deputetja theksoi se procesi i zgjedhjes së Presidentit ishte i njëanshëm, por shtoi se nuk donte që ta paragjykonte Bajram Begajn në ditën që betohej.
Zhupa kujtoi gjithashtu se si ligjvënëse e Parlamentit, e ka për detyrë të respektojë Kushtetutën.
“Procesi i zgjedhjes së presidentit ishte i njëanshëm. U nis dhe u mbyll në kryesinë e PS, ndryshe nga ç’e meritonte procesi. Ishte i kapur dhe i kontrolluar nga mazhoranca. Megjithatë, mendoj se nuk duhej ta paragjykoja Presidentin që sot betohej. Shpresoj të jetë në lartësinë që kërkon pozicioni dhe do të jetë mbi palët. E kisha si detyrë edhe si deputete që të respektoja Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Jam e bindur që Bajram Begaj do të dekretojë edhe qeverinë e PD-së.”
Po ashtu, Zhupa bëri të ditur se Sali Berisha është në dijeni të prezencës së saj në Parlament.
“E keni parë deklaratën e PD, me të drejtë e ka cilësuar ditën e sotme ditë të vendosjes së monizmit. Nuk kemi pasur mbledhje apo vendimmarrje grupi, KEMI një qëndrim zyrtar të PD, dhe secili merr vendimin e vet. Patjetër që Berisha është në dijeni edhe të gjendjes sime këtu.”
Kujtojmë se nga deputetë të opozitës, të pranishëm sot në seancë ishin sot edhe ish-kreu i PD, Lulzim Basha, kreu i Grupit Parlamentar Demokrat Enkelejd Alibeaj dhe deputetët, Ervin Salianji, Grida Duma, Oriola Pampuri, Xhalal Mziu, Dhurata Çupi, Ferdinand Xhaferaj, Jorida Tabaku, Arbër Agalliu, Agron Gjemarkaj, Andia Ulliri, Bujar Leskaj, Flamur Hoxha, Helidon Bushati, Dashamir Shehi, Kreshnik Collaku, Zheni Gjergji, Flutura Açka, si dhe aleatët e PD, Vangjel Dule, Mesila Doda, Shpëtim Idrizi dhe Fatmir Mediu.
Gjithashtu të pranishëm në seancë ishin dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe deputetja Erisa Xhixho. /abcnews.al/