“Ai do të bëhet Messi i ri”, kështu shprehej Maurizo Zamparini në vitin 2015, kur e shiti argjentinasin Paulo Dybala te Juventusi. Ish-presidenti i Palermos, i njohur për deklaratat e tij të forta dhe për shkarkimin e trajnerëve, nuk ka ndryshuar mendim.
“Tuttosport” e ka intervistuar dhe gjithçka nis nga Dybala dhe pyetja “A jeni i bindur se Paolo do të jetë Messi i ri”. “Jam ende i bindur. Pse duhet të kisha ndryshuar mendje? Dybala, veçse një kampion, është edhe një djalë shumë i mirë.
Nuk e kuptoj si lihet Dybala jashtë formacioni. Ka pasur probleme fizike? Po beni shaka? Që Dybala nuk është titullar në Serie A është një blasfemi. Paulo duhet të kishte ndjekur këshillën time të tri viteve më parë. E kam fjalën që të largohet nga Torino.
Ia kam thënë qartë: ‘Paulo, për të mirën tënde duhet të largohesh nga Juventusi’. Futbolli i tij është fantazi dhe ai bën më shumë për të luajtur në Spanjë, te Barcelona ose Real Madrid. Gjithsesi ai më thoshte gjithmonë se ndihej mirë te Juventusi”.
“Pse largimi nga Juventusi është gjëja më e mirë? Sepse Paulo është një kampion dhe jo një zëvendësues. te Juventusi është Cristiano Ronaldo, një fenomen i vërtetë dhe Dybala duhet të shkojë dhe të bëjë Ronaldon në një klub të madh. CR7 është si Ibra.
Ata janë lojtarë shumë të fortë dhe me një personalitet të pabesueshëm. Normalisht me një eksperiencë të çmendur. Ata janë shembuj fituesish. Me Cristianon te Juventusi, unë këshilloj që Paulo të bëhet numri një në një vend tjetër”, mbyll Zamparini. /abcnews.al