Një gropë e madhe është hapur papritur në Kili, pranë qytetit të Tierra Amarilla, në provincën e Copiapo. Vrima u formua në vendin Alcaparrosa, pjesë e minierës së madhe të bakrit “Ojos del Salado”, rreth 700 kilometra nga kryeqyteti Santiago.
Kompania që menaxhon minierën, në një njoftim për shtyp, theksoi se gropa nuk ka pasur asnjë ndikim në “personelin, pajisjet apo infrastrukturën”. Nuk është e qartë nëse punimet në zonë kanë ndikuar në formimin e kësaj grope gjigante.
Gropa ka një diametër prej 25 metrash dhe është 200 metra e thellë. Autoritetet thanë se miniera Alcaparrosa është nën mbikëqyrje të vazhdueshme, megjithatë asnjë lëvizje e dyshimtë në tokë nuk është raportuar që nga krijimi i gropës.
Mirëpo, si masë paraprake është ndërprerë përkohësisht puna në një zonë të minierës nëntokësore. Aktualisht është duke u zhvilluar një analizë e thelluar teknike për të përcaktuar si shkaqet e formimit të gropës ashtu edhe sigurinë e tokës përreth.
Sipas autoriteteve, “shtëpia më e afërt është më shumë se 600 metra larg, ndërsa çdo zonë e populluar ose shërbim publik është pothuajse një kilometër nga zona e prekur”. Prandaj nuk ka një rrezik të menjëhershëm për njerëzit dhe infrastrukturën. /abcnews.al