Pietro Lo Monaco, ish-futbollist, drejtues në klube të ndryshme dhe një person i njohur kryesisht në Italinë e jugut në botën e futbollit, ka folur për mbetjen e Napolit jashtë Champions League.
Në “Stadio Aperto”, që transmetohet në TMW Radio, Lo Monaco nuk është kursyer as me Elseid Hysajn, protagonist te goli i Hellas Verona në ndeshjen e luajtur në fundjavë.

“Po flasim për Napolin, një nga skuadrat më në formë në pjesën e fundit të sezonit. Në letër kishin ndeshjen më të lehtë. E kanë luajtur në mënyrë të pashpjegueshme, pa grintë, pa vendosmëri, sikur të ishte ndeshje lagjesh.
Po të shikosh sërish gabimin e Hysajt të rrëqeth. Një mbrojtës i atij niveli që kthen shpinën pa parë trajektoren e topit, diçka e pakonceptueshme. Gjithmonë Hysaj është i përfshirë… Mbetja jashtë Champions League në këtë mënyrë është shumë zhgënjyese.
Është e bezdisshme të shikosh Napolin të largohet nga Champions League, duke i dorëzuar armët pa filluar ndeshjen. Hellas Verona ka fituar çdo duel. Napoli bëri gabime teknike elementare. Një ndeshje e tillë, vendimtare, nuk mund të trajtohet me atë lloj shpirti gare”, tha Pietro Lo Monaco. /abcnews.al

