Frederic Veseli ndryshon kampionat. Pas eksperiencave të mëparshme në Angli dhe Zvicër, tanimë mbrojtësi lë Italinë dhe do të luajë në Francë. Futbollisti është një nga më të rëndësishmit tek Empoli dhe këto ditë për të ka pasur shumë zëra merkatoje.
“L’Equipe” raporton se sonte në mbrëmje ai do të zbarkojë në klubin e tij të ri dhe do të jetë Le Mans, ekip që rrezikon rënien në ligën e tretë. Drejtuesit e klubit po bëjnë çmos për ta shmangur diçka të tillë.
Veseli, i cili luan si mbrojtës qendre dhe i djathtë, konsiderohet një përforcim me shumë vlera për francezët. Formula e transferimit është huazim me të drejtë blerje, sigurisht nëse Le Mans shpëton nga rënia prej kategorisë. /abcnews.al