Rryma të ndryshme te Shkëndija e Tetovës, por në fund i besohet trajnerit Ernest Gjoka. Tekniku kryeqytetas ishte nën kontratë deri më 30 qershor dhe në një komunikim që pati më Abcnews.al disa ditë më parë, u shpreh se do të bisedonte me drejtuesit e klubit në fillim të javës.
Ditët po kalonin dhe kishte shumë paqartësi, ndërsa emri i Ilir Dajës pëshpëritej edhe më shumë. Tani nuk ka më mëdyshje dhe konfirmohet nga burime pranë trajnerit se Gjoka do të jetë në krye të Shkëndijës edhe për sezonin e ardhshëm.
Në sezonin aktual, të mbyllur para kohe për shkak të situatës pandemike në Maqedinë e Veriut, gjërat nuk shkuan shumë mirë. Gjoka dhe Shkëndija nuk mundën dot të luftonin të paktën për vendin e dytë, që i çonte në Champions League, dhe e mbyllën në një pozicion më poshtë me një pikë më pak.
Tani Gjoka e njeh më mirë kampionatin maqedonas, sikurse edhe ekipin e tij. Kështu ai do të mund të bëjë lëvizjet që do, së bashku me drejtuesit, që në fund të sezonit të ardhshëm të fitojë titullin kampion dhe Kupën e Maqedonisë së Veriut. /abcnews.al

