E konfirmuar: Vedat Muriqi nuk ia del, mungesë e madhe për Kosovën

schedule15:26 - 6 Tetor, 2020

schedule 15:26 - 6 Tetor, 2020

Vedat Muriqi nuk do të jetë me Kosovën në ndeshjen më të rëndësishme kundër Maqedonisë së Veriut dhe kjo për shkak të një dëmtimi. Lazio e ka dhënë “OK”-in që sulmuesi të bashkohet me Dardanët, por kontrollet e fundit mjekësore kanë nxjerrë në pah faktin se shtatlarti e ka të pamundur të aktivizohet. Kjo konfirmohet nga vetë FFK, që ka dalë me një komunikatë.

“Përkundër insistimit të madh të Federatës së Futbollit të Kosovës, dëshirës së madhe të futbollistit dhe bashkëpunimit korrekt të klubit të Lazios, Vedat Muriqi megjithatë e ka të pamundshme të paraqitet për përfaqësuesen e Kosovës në tri ndeshjet në vijim. Futbollisti ka pasur sot testet e fundit në klubin e Lazios dhe në kokën e tij gjithçka ishte e qartë që pas këtyre testeve ai do të nisej për Kosovë.

Mirëpo, në testin e fundit u kuptua edhe njëherë definitivisht që nuk ka asnjë gjasë që ai të jetë i gatshëm, qoftë për ndeshjen e së enjtes kundër Maqedonisë së Veriut, qoftë për dy ndeshjet pasuese që Kombëtarja jonë i zhvillon në kuadër të Ligës së Kombeve.

Informata që ka rrjedhur në faqen zyrtare të Lazios, se futbollisti do të jetë në grumbullim me Kosovën edhe pse është një gabim, e konfirmon që gjithçka ishte planifikuar që Muriqi sot të udhëtojë për Kosovë dhe të jetë me ekipin, mirëpo testet e sotme e treguan qartë se gjendja fizike nuk e lejon atë që në asnjë formë të jetë pranë bashkëlojtarëve të ekipit përfaqësues”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!