PSG po insiston për Achraf Hakimin, një nga lojtarët më të rëndësishëm të Interit. Anësori i djathtë maroken mund të jetë një nga të sakrifikuarit e kampionëve të Italisë në merkato. Zikaltrit kërkojnë 80 milion euro për ta lënë të lirë 22-vjeçarin.
Agjenti i tij, Alejandro Camano ka thyer heshtjen. Ai qetëson tifozët e Interit, duke insistuar që nuk po bisedon me asnjë klub për momentin, teksa e cilëson Hakimin si anësorin e djathtë më të mirë të futbollit evropian. “Për momentin nuk ka asgjë konkrete, jemi të qetë.
Hakimi është i grumbulluar me kombëtaren e Marokut në këto momente, ndërsa unë nuk po negocioj me askënd. Më duhet ta theksoj këtë gjë, nuk po bisedoj me asnjë klub. Kam një akord me Interin edhe për katër vite të tjera, po flasim për një kontratë realisht të gjatë.
Achraf është më i miri në Evropë në rolin e tij, ky është shkaku pse emri i tij lidhet me skuadra të tjera. Përfitoj nga rasti të falënderoj të gjithë tifozët e Interit për mesazhet e ngrohta që i kanë dërguar“, thekson Alejandro Camano për Calciomercato. /abcnews.al