“E gjuajnë gurin dhe fshehin dorën”, kush janë “Maskat e Veriut” në Kosovë dhe kush qëndron pas tyre?

schedule07:58 - 13 Dhjetor, 2022

schedule 07:58 - 13 Dhjetor, 2022

Persona të armatosur me maska i kanë gjuajtur me armë policët dhe zyrtarët e EULEX-it, por edhe kanë terrorizuar banorët e katër komunave veriore të Kosovës gjatë këtij muaji.

Këta persona vazhdojnë të jenë të panjohur për autoritet e sigurisë, së paku deri më tani, pasi zyrtarisht nuk dihet nëse është arrestuar ndonjëri nga ta.

Por, kush janë personat që fshihen prapa maskave?

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, thotë se këta persona janë të mbështetur nga Serbia.

Prandaj, Kastrati shton se organet e rendit e kanë të vështirë t’i identifikojnë.

“Kanë formacione pothuajse ushtarake dhe është e pamundur që policia e Kosovës t’i identifikojë pasi janë me maska. E gjuajnë gurin dhe fshehin dorën siç thotë populli”.

Ai as nuk e përjashton mundësin që disa prej tyre mund të jenë ish-policë të Kosovës, ashtu siç tha edhe vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Ata qytetarë të thjeshtë nuk janë. E kanë një strukturë, është Radojeçiçi, është Rakiçi aty drejtpërdrejt i kyçur pasi Lista Serbe dirigjohet nga Beogradi”, shton ai.

Megjithatë, ish-gjenerali shprehet i bindur që për funksionimin e tyre kanë njohuri autoritet e sigurisë në vend.

“Agjencia Kosovare e Inteligjencës është duke punuar dhe besoj shumë që do t’i identifikojnë dhe ata më vonë do të përgjigjen, por tash me siguri nuk duan të eskalojë situata edhe më shumë”.

Ndërsa për njohësin e çështjeve të sigurisë Fadil Kajtazin, të gjitha këto akte janë vepër e shërbimeve inteligjente serbe, të cilat i bëjnë për të frikësuar popullatën e veriut, që mos t’i pranojnë organet shtetërore kosovare.

‘Aksione të lagura’, sipas një logjike që uji pastron gjithçka, pra ideja është të zhduken gjurmët dhe gjurmët nuk zhdukën pa pastruesin i cili ju hedhë ujin gjurmëve. Pa këtë logjistikë, aksionet e shërbimeve serbe në veri do të jenë të ‘thata’, dhe organet e sigurisë së Kosovës nuk do ta kishin të vështirë t’i identifikoni të maskuarit e veriut dhe t’i sjellin para gjyqit”, thekson Kajtazi për AP.

Por, ai ngre alarmin se situata gjatë ditëve në vijim mund të komplikohet, pasi thotë se “në Beograd është vendosur grupi mercenar rus “Wagner”, e të cilin shërbimet inteligjente serbe mund ta angazhojnë përmes grupeve mafioze që operojnë në veri”.

“Këto aksione zhvillohen me intensitet, varësisht prej asaj se si e vlerësojnë këto shërbime situatën dhe mundohen që ato të jenë në mes të ligjores dhe joligjores, duke i sinkronizuar edhe me situatat që zhvillohen në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Kajtazi mendon se në punën e shërbimeve inteligjente, logjika e veprimeve është në grupe të vogla të cilat pastaj krijojnë përfshirje të shumë personave sipas inercisë së zhvillimit të ngjarjeve.

“Në këtë strukturë, mund të ketë edhe ish policët e Kosovës nga nacionaliteti serb, por jo në masë, dhe kjo bëhet për ta ruajtur konspiracionin e veprimit”, pohon ai.

Me 25 tetor u raportua për një dokument shqetësues të inteligjencës së EULEX-it, mbi paraqitjen e një force paramilitare serbe në veri të Kosovës.

Sipas burimeve të AP-së, këto gjetje janë mbështetur edhe nga inteligjenca e KFOR-it dhe janë prezantuar para autoriteteve më të larta diplomatike.

Raporti thotë se kjo forcë paramilitare, që në disa vende figuron nën emërtimin “Brigada e Veriut”, ka rreth 300 anëtarë të armatosur mirë.

Raporti i inteligjencës i cilëson ata si kërcënim akut për sigurinë dhe rendin në Kosovë.

Një pjesë e tyre konsiderohen që nuk janë me origjinë nga Kosova, por janë të ardhur nga Serbia, mbase edhe nga Republika Serbe e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!