Vrau ish-gruan, arrestohet autori në Fier, fshihej në pyll

schedule08:44 - 11 Shtator, 2021

schedule 08:44 - 11 Shtator, 2021

Fier – Është arrestuar autori i cili mbrëmjen e djeshme vrau me automatik ish-gruan e tij. Mësohet se Elton Metaj, 31 vjeç është kapur nga FNSH në një zonë të pyllëzuar në fshatin Peshtan.

I arrestuari gjatë mbrëmjes së djeshme qëlloi për vdekje ish-bashkëshorten, Sabrina Bengaj në banesën e prindërve të saj.

Ky krim ishte i paralajmëruar, pasi rreth një vit më parë , Elton Meta kërcënonte familjen e ish gruas dhe më pas kërcënoi se do kryente vetëvrasje.

Lexo edhe: Krimi në Fier, flet vëllai i viktimës: Motra po hante bukë, sa erdhi nga puna, autori më kërkoi dhe mua për të më vrarë

Megjithatë ai u la i lirë pas disa muajsh burg dhe më pas kreu edhe krimin tronditës duke i marrë jetën ish—bashkëshortes së tij. 31-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri ish-bashkëshorten Sabrina Bengaj në banesën e prindërve të saj, ndërsa Armando Bengaj, vëllai i viktimës ka treguar për gazetarët si ka ndodhur ngjarja.

Ai është shprehur se e motra, kishte qenë duke ngrënë bukë pasi sapo ishte kthyer nga puna, kur në derë të shtëpisë së prindërve në Zhupan të Fierit, ku ishte rikthyer prej një viti, kishte shkuar ish-bashkëshorti dhe më pas e kishte qëlluar Sabrinën për vdekje.

Njoftimi i policisë: 

Fier – Kapet në kohë rekord dhe arrestohet nga Policia autori i vrasjes së ish-bashkëshortes në fshatin Zhupan mbrëmjen e djeshme.

Pas 3 orë ndjekjesh në kushte të vështira për shkak të errësirës dhe rrezikshmërisë që kishte ky person pasi ishte i armatosur, u kap nga Policia në një zonë të pyllëzuar në fshatin Peshtan autori bashkë me armën e krimit.

Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Zhupan, në banesën e ish-vjehrrit, shtetasi Elton Metaj ka vrarë me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij, shtetasen S. B., menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë dhe organizuan punën për kapjen e autorit i cili ishte larguar nga vendngjarja me një motomjet.

Pas 3 orësh ndjekje, nga strukturat e DVP Fier, Forca Operacionale, Forca e Posacme “Shqiponja”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier në bashkëpunim dhe me 2 grupe të FNSH Fier, falë veprimeve të shpejta, të mirëorganizuara dhe profesionale, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e autorit në një zonë të pyllëzuar të fshatit Peshtan, bashkë me armën e krimit automatik dhe motomjetin me të cilin u largua nga vendngjarja të cilat u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” shtetasin Elton Metaj, 31 vjeç, banues në Peshtan( i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” , “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Dhunë në familje” ).

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/