Rrok Pepaj, babai i autorit të dyshuar Daniel Pepaj, për vrasjen e dy të rinjve në Malësinë e Madhe është arrestuar.
Ai ishte marr në pyetje nga policia një ditë më parë, pasi dyshohej se kishte dijeni për ngjarjen e ndodhur në fshatin Vrith të Malësisë së Madhe.
Ndërkohë ditën e sotme në një njoftim zyrtar, policia ka bërë me dije se Rrok Pepaj është arrestuar nën akuzën e “kultivimit të lëndëve narkotike”.
“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe kontrollit përreth vendit të ngjarjes u gjetën të kultivuara 29 bimë kanabis. Në lidhje me këtë ngjarje u arrestua në flagrancë për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, shtetasi Rrok Pepaj, lindur dhe banues në fshatin Vrith, Malësi e Madhe, pasi dyshohet se në bashkëpunim me djalin e tij Danjel Pepaj, 25 vjeç, në fshatin Vrith, Malësi e Madhe janë personat që kanë kultivuar 29 bimët narkotike të gjetura në vendin e ngjarjes“, thuhet në njoftimin e policisë.
Mësohet se Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj janë vrarë me armë zjarri, pasi janë konstatuar shenja plumbi në trupat e tyre.
Ndërkohë kushëriri i tyre Daniel Pepaj, është shpallur në kërkim nga policia.
Danieli Pepaj dyshohet se është personi që ka vrarë Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj, në pyjet e fshatit Vrith në Malësinë e Madhe, pasi këta të fundit e kanë dhunuar sepse Danieli u kishte vjedhur hashashin nga parcelat.
n.d./abcnews.al