Gjatë 24 orëve të fundit policia e Tiranës ka vënë në pranga 10 persona të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale.
Sipas uniformave blu bëhet me dije se të arrestuarit akuzohen për shitje dhe prodhim narkotikësh, prodhim dhe mbajtje të armëve pa leje dhe për vjedhje.
Gjithashtu në pranga ka rënë edhe drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin me dy të plagosur një ditë më parë në autostradën Tiranë-Durrës.
Njoftimi i plotë:
Vihen në pranga 10 shtetas për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
– G. K., 43 vjeç, pasi gjatë kontrollit të automjetit që ky shtetas drejtonte, nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy aparate celulare dhe automjeti;
– M. S., 34 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike, e llojit cannabis sativa.
Specialistët e Seksionit të Kërkimit bënë kapjen e shtetasit në kërkim A. D., 36 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulsive telefonike”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariarin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. M., 25 vjeç, për veprën penale “Përndjekja”, pasi ka përndjekur shtetasen I. B., 18 vjeçe.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. Ç., 41 vjeç, për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”. Ky shtetas ka goditur me grusht shtetasin M. V., 34 vjeç, dhe gjatë kontrollit të mjetit në pronësi të shtetasit B. Ç., nga shërbimet e Policisë, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një shkop metalik, një pistoletë çakmak dhe një këllëf pistolete.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. F., 62 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin e tij, në gjendje të dehur.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
– L. B., 51 vjeç, F. L., 50 vjeç, F. Sh., 41 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet e tyre përkatëse, në gjendje të dehur;
– H. N., 28 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi duke drejtuar mjetin e tij në autostradën Tiranë-Durrës, është përplasur me mjetin me drejtues shtetasin E. L. Si pasojë e aksidentit është dëmtuar vetë drejtuesi i mjetit shtetasi H. N., dhe dy pasagjerët e mjeteve, shtetasit M. F., dhe E. S., të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al