E ndarë në pako, sekuestrohen 7 kg kokainë në kontejnerët e kompanisë së peshkut në Portin e Durrësit

schedule14:43 - 6 Gusht, 2021

schedule 14:43 - 6 Gusht, 2021

Një tjetër sasi lënde narkotike është sekuestruar mesditën e sotme në Portin e Durrësit. Policia njofton se gjatë kontrollit në kontejnerët e kompanisë “Fish Co Tirana”, me qendër në Tiranë janë gjetur 7 kg kokainë. Në pranga është vënë Denis Doda, 35 vjeç (administratori i firmës ku do mbërrinte kontejneri). Lënda narkotike është gjetur në pjesën e kapakëve të ventilimit të kontejnerëve e ndarë në disa pako. Policia ka gjetur edhe një GPS e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

“Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj tentativës për trafikim të lëndëve narkotike në vendkalimin e kontrollit kufitar Port, Durrës. Finalizohet operacioni policor i koduar “Urbanor”. Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e DVP Durrës dhe autoritetet doganore të Portit, evidentojnë dhe godasin një rast të tentativës së trafikimit të lëndëve narkotike. Arrestohet në flagrancë administratori i firmës ku do mbërrinte kontenieri. Sekuestrohet një sasi rreth 7 kg lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e cila vepron në Portin e Durrësit, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë dhe informacioneve që dispononte Policia Kriminale, kanë ushtruar kontroll të detajuar në një kontenier të ngarkuar me prodhime deti që ishte nisur nga Ekuadori për llogari të firmës “Fish Co Tirana”, me qendër në Tiranë.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në pjesën e kapakëve të ventilimit u gjetën pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë me peshë rreth 7 kg dhe një GPS, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin D. D., 35 vjeç, banues në Tiranë (administratori i firmës ku do mbërrinte kontenieri).

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Gjatë muajit korrik policia kreu tre operacione brenda 10 ditësh për sekuestrimin e lëndës narkotike në kontejnerë në Portin e Durrësit. Droga që u gjet në kontejnerët me banane në pronësi të kompanisë “Alba exotic fruts”, gjatë muajit korrik, dyshohet se i përket të njëjtit grup kriminal që në qershor të vitit 2019 iu sekuestrua 137 kg kokainë, e cila përmes dorëzimit të kontrolluar u zëvendësua me oriz. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!