Shënohet dita me numrin më të lartë të viktimave nga koronavirusi që nga fillimi i pandemisë në vendin tonë.
Dy pacientë të infektuar me Covid-19 të cilët po merrnin trajtim mjekësor në Spitalin Infektiv kanë ndërruar jetë gjatë ditës së sotme.
Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Shëndetësisë e cila njofton se pacientët e moshave 67 vjeç dhe 73-vjeçe ishin në terapi intensive dhe vuanin nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese dhe nuk kanë mundur të mbijetojnë.
Bashkë me ta shkon në 41 numri i vikitimave nga koronavirusi në vendin tonë.
LEXO EDHE: Ulen testimet, por rritet numri i të prekurve: Dita e tretë radhazi me të vdekur nga Covid
“Gjatë orëve të fundit një pacient 67-vjeçar nga Tirana ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, i prekur nga COVID19, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, pavarësisht perpjekjeve të stafit mjekësor.
Pas nje rëndimi të papritur, 67-vjeçari nuk arriti të mbijetojë nga disfunksioni kardio-respirator, pavarësisht terapisë intensive medikamentoze dhe ventilimit mekanik. 67-vjeçari vuante nga diabeti, fibrilacion atrial, hipertension dhe alzheimer.
Më herët, po në spitalin infektiv ndërroi jetë nga COVID19 një paciente 73-vjeçare nga Shkodra, e cila vuante nga hipertensioni, e shtruar prej disa ditësh në terapi intensive në gjendje të rëndë. Pavarësisht mjekimit dhe asistencës mjekësore, 73-vjecarja nuk mundi të mbijetojë.
Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjeve të të ndjerëve që humbën njerëzit e dashur në këtë betejë të vështirë.
Nga fillimi i epidemisë, 41 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me COVID19″, njofton Ministria e Shëndetësisë.
Në përditësimin e fundit të bërë paraditen e sotme nga Instituti i Shëndetit Publik, brenda harkut kohor të këtij 24-orëshi u raportua për një tjetër viktimë nga koronavirusi të moshës 67-vjeçare.
Ndërsa i regjistrua një numër më i lartë infeksionesh se një ditë më parë, 66 të tillë, ndonëse ishin bërë më pak teste, duke e çuar në 1 788 numrin total të të prekurve që prej fillimit të pandemisë në vend./abcnews.al

