Para krimi, sekuestrohen 2.1 milion euro në Tiranë

schedule08:46 - 10 Qershor, 2020

schedule 08:46 - 10 Qershor, 2020

Një vit hetime nga Policia e Shtetit është finalizuar mëngjesin e sotëm me sekuestrimin e pasurisë me vlerë 2.1 milion euro të përfituar nga veprimtaria kriminale të dy shtetasve zvicerianë me rekorde të theksuara kriminale.

Ata janë Hasan Lushi me origjinë nga Kosova, banues në Zvicër dhe Ryszard Artur Szylak me origjinë nga Polonia, banues në Zvicër.

Sipas policisë Hasan Lushi është nën hetim nga Prokuroria e qytetit Solothurn, Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”.

Ai është dënuar edhe nga Gjykata e Olten-Gosen/So, në nëntor të vitit 2011, për veprat penale “Zhvatje me dashje”, “Sulm”, “Shtrëngim për dhënie pasurie”,“Shkelje e ligjit për armët.

Ndërsa Ryszard Artur Szylak është në kërkim kombëtar në Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”.

Policia njofton se vijon puna për të zbuluar asete (prona) të tjera që rrjedhin nga aktiviteti kriminal i personave të arrestuar, të cilat mund t’i kenë në emër të personave të tjerë apo të bashkëpunëtorëve në këtë aktivitet kriminal.

Asetet pasurore të sekuestruara

-3 apartamente në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

-Njësi tregtare e ndodhur në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

-Sipërfaqe toke, afërsisht 5.500 m2, në Radhimë, Vlorë;

-Asete të një ish-kompanie të transportit ndërkombëtar të mallrave;

-Llogari bankare pranë bankave të nivelit të dytë, në shumën 240.000 euro dhe 210.000 franga zvicerane;

-6 automjete të markave të ndryshme, prodhime të viteve të fundit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!