Reforma Zgjedhore do të jetë sërish subjekt i një Komisioni të Posaçëm Parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë. Krahas hetimit parlamentar të procesit të 25 prillit, demokratët depozituan të mërkurën kërkesën për një komision për reformën Zgjedhore.
“Komisioni ka për detyrë hartimin e ndryshimeve kushtetuese dhe të kuadrit ligjor zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 Prillit dhe zgjedhjeve të mëparshme të patrajtuara” thuhet në kërkesë.
Demokratët pretendojnë që përmes këtij komisioni të zhbëjnë ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut 2020, ku edhe u hoqën koalicionet parazgjedhore. Në krye të një grupi pune të ngritur prej disa javësh në Partinë Demokratike është nënkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj.
Hera e fundit që demokratët ishin pjesë e një Komisioni për Reformën Zgjedhore ishte viti 2018. Pas djegies së mandateve Komisioni vazhdoi pa prezencën e PD, teksa u krijua një strukturë jashtë parlamentare që u quajt Këshilli Politik, i cili prodhoi edhe marrëveshjen e 5 qershorit nën prezencën e ndërkombëtarëve.
Katër kërkesat e PD-së
1.Ngritja e komisionit të posaçëm hetimor
2.Komisioni ka për detyrë hartimin e ndryshimeve kushtetuese dhe të kuadrit ligjor zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve të OSBE-së për zgjedhjet e 25 Prillit dhe zgjedhjeve të mëparshme.
3.Anëtarësia e komisionit formohet me pjesëmarrjen e partive parlamentare me përbërje të barabartë mes shumicës dhe pakicës.
4.Komisioni e ushtron veprimtarinë për një afat 6 mujor.
/ Abcnews.al