Pa maska në rrugë, 765 të gjobitur! Ndëshkohen 3 pronarë lokalesh për muzikën pas orarit

schedule16:40 - 31 Tetor, 2020

schedule 16:40 - 31 Tetor, 2020

Në 24 orët e fundit janë gjobitur 765 qytetarë të cilët kishin dalë pa maska në rrugë. Ndërkohë që gjatë kontrolleve të bëra janë konstatuar me muzikë pas orës 20:00 dhe për pasojë administratorët e tyre janë ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë secili. Policia e Shtetit bën apel për respektim të masave kundër përhapjes së koronavirusit ndaj qytetarëve dhe pronarëve të lokaleve.

“Ndëshkohen me masën administrative 3.000 lekë, 765 qytetarë që lëviznin pa maskat mbrojtëse.  Gjithashtu, ndëshkohen me masën 1.000.000 lekë secili, 3 administratorë lokalesh, pasi nuk respektuan protokollet e sigurisë.  Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia. 

Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, nga Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore janë evidentuar 765 qytetarë që nuk kishin maskat mbrojtëse, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili. Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 3 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë që kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. Secili prej administratorëve të këtyre lokaleve është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë.

Gjatë këtyre kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 8 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë. Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, të respektohet me rigorozitet vetëkarantinimi i detyrueshëm nga ata qytetarë që janë të prekur me COVID-19, pronarët e lokaleve të respektojnë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19′, njofton policia./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!