Meta i kërkon partive politike të nisin konsultat për caktimin e datës së zgjedhjeve

schedule11:43 - 1 Shtator, 2020

schedule 11:43 - 1 Shtator, 2020

Presidenti Ilir Meta i ka kërkuar partive politike që ditën e premte të nisin konsultat për të caktuar datën e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në vitin 2021.

Ai i ka kërkuar palëve politike të shkojnë këtë të premte, në presidencë për të vendosur një datë zgjedhjesh.

Letra i ka mbërritur kreut të Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, ku kërkohet pjesëmarrja në takim e kryeministrit Edi Rama apo çdo personi tjetër të autorizuar nga ky i fundit.

Burime për abcnews.al bëjnë me dije se kryedemokrati Lulzim Basha ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin me kreun e shtetit që do të mbahet në orën 12:00, një orë pas konsultimit me përfaqësuesin e qeverisë.

“Presidenti Ilir Meta në mbështetje të kompetencave të tij kushtetutese neni 92. gërma gj, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve konsesuale në Kodin Zgjedhor të miratuara me ligjin nr. 101/2020 si dhe në vijim të traditës së mirë ka vendosur nisjen e procesit të konsultimeve me partitë politike me qëllim caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Republikë së Shqipërisë.

Për këtë, presidenti i Republikës fton në takim ditën e premte datë 04.09. 2020, pranë institucionit të Presidentit të Republikës”, thuhet në shkresën që presidenti i ka nisur partive politike.

Data e mundshme që pritet të dakordësohet nga palët është një nga të dielat mes periudhës 15 prill-15 maj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!