Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretuar qeverinë “Rama 3”. Meta nuk ka humbur kohë dhe pas marrjes së përgjigjes nga Prokuroria e Përgjithshme se asnjë nga emrat e propozuar nga kryeministri Edi Rama për postet ministrore nuk ishin nën hetim, Meta ka dekretuar kabinetin e ri qeveritar.
“Asnjë nga emrat e qeverisë nuk është proceduar. Asnjë nga emrat e emëruar s’ka probleme”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë ndaj kreut të shtetit.
Dekreti i Metës hyn në fuqi menjëherë. Pak ditë më parë, Meta dekretoi Edi Ramën si kryeministër. Ky i fundit i dërgoi Presidentit Meta emrat kabinetit qeveritar.
Kreu i shtetit, ndryshe nga sa bëri me dekretimin e Edi Ramës, të cilin e mandatoi menjëherë pas konstituimit të parlamenti, ka kërkuar informacione shtesë për 16 anëtarët e kabinetit qeveritar. Prokuroria e Përgjithshme brenda afatit 7 ditor i ka kthyer përgjigje Metës duke i cilësuar “të pastër” emrat e ministrave.
Tashmë dekreti do të shkojë për t’u votuar në parlamentin e ri me 140 deputetët e betuar më 10 shtator. Dekretet e miratuara nga Presidenti kalohen sërish nga Kuvendi në një afat 10 ditë, ndërsa para fillimit të detyrës kabineti qeveritar do të betohen para Presidentit
Qeveria “Rama 3” :
- Zoti Edi Rama- Kryeministër;
- Zoti Arben Ahmetaj – Zëvendëskryeministër dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave;
- Zonja Olta Xhaçka – Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;
- Zoti Niko Peleshi – Ministër i Mbrojtjes;
- Zoti Bledar Çuçi – Ministër i Brendshëm;
- Zonja Delina Ibrahimaj- Ministër i Financave dhe Ekonomisë;
- Zonja Belinda Balluku – Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;
- Zonja Evis Kushi – Ministër i Arsimit dhe Sportit;
- Zoti Ulsi Manja – Ministër i Drejtësisë;
- Zonja Elva Margariti – Ministër i Kulturës;
- Zonja Frida Krifca – Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
- Zonja Ogerta Manastirliu – Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
- Zonja Mirela Kumbaro Furxhi – Ministër i Turizmit dhe Mjedisit;
- Zonja Elisa Spiropali – Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin;
- Zonja Edona Bilali – Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes;
- Zonja Bora Muzhaqi – Ministër i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët;
- Zonja Milva Ekonomi – Ministër i Shtetit për Standardet e Shërbimeve.
/abcnews.al/