Telefoni i sekuestruar në banesën e Erion Alibej, i dyshuar si organizator dhe porositës i vrasjeve të fundit të ndodhura në Elbasan, është prova më e fortë që mund të çojë drejt identifikimit të ekzekutorëve të Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit Talo Çela.
Burime zyrtare të policisë konfirmuan për ABC News, se 34-vjeçari Alibej po hetohet si porositës i vrasjes së Çelës, i cili u ekzekutua me breshëri plumbash mëngjesin e 17 shtatorit pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit në Elbasan, teksa pinte kafe në lokalin e zonës.
Tashmë, oficerët e krimeve janë në pritje të përgjigjes së tabulateve telefonike, për të zbuluar dhe identifikuar personat që Alibej ka folur ditët e fundit.
Vrasja e Bujar Çelës po hetohet për hakmarrje, pasi dyshohet se vëllai i tij Talo Çela mund të kishte lidhje në vrasjen e vëllait të Erion Alibejt, Endrit Alibej.
Ky i fundit së bashku me xhaxhain, Arben Dylgjerin dhe një shtetas turk u vranë me breshëri plumbash pranë Bradasheshit, në 28 dhjetor të 2018-ës.
Të premten, zyrtarisht policia deklaroi se 34-vjeçari Erion Alibej u arrestua me vendim gjykate, si organizator dhe porositës i vrasjes së Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, të ndodhura në 20 dhe 29 korrik të këtij viti po në Elbasan.
Mesditën e kësaj të hëne, Gjykata e Elbasanit i la në fuqi masën arrest me burg pa afat.
Para togave të zeza, ai mohoi akuzën duke kërkuar të qëndronte në arrest shtëpie për shkak se nëna dhe bashkëshortja e tij kishin probleme shëndetësore.
Ai i tha gjykatës se nuk njeh asnjë nga dy të arrestuarit si autorë të dy vrasjeve, Xhuljo Hoxha dhe Euglen Halili.
Ky i fundit më herët u ka thënë hetuesve se vrasjet i kishte kryer me urdhër të Xhuljo Hoxhës e të porositura nga Erion Alibej.
Por, sipas avokatit të Alibej, teksa hetuesit i kanë treguar Halilit fotografinë e 34 vjeçarit, ai ka pohuar se nuk e njihte atë.
Erion Alibej, ndodhej me masë arresti shtëpiak për që plagosje të ndodhur 2 vite e gjysmë më parë dhe 6 muaj më parë kishte përfunduar në pranga.
Alibej, i njohur edhe me mbiemrin Dylgjeri ka qenë i dënuar edhe në Itali për trafik droge, ku njihej me emrin Andrea./abcnews.al