EMRI/ Fierakut i sekuestrohen 140 milionë lekë, çfarë dyshon policia

schedule14:15 - 7 Korrik, 2020

schedule 14:15 - 7 Korrik, 2020

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik ka vënë sekuestro tre llogarive bankare të Lako Levanait 66-vjeç, me vlerë 140 milionë lekë, që dyshohen se janë përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve.

Abcnews.al mëson se po gjurmohet të afërmve të tij të arrestuar, të cilët mund t’ia kenë lënë në pronësi 66-vjeçarit për të shmangur verifikimet e policisë.

Djali i tij Artan Levanai  rezulton të ketë qenë i dënuar në Itali për trafik të lëndëve narkotike.

Policia njofton se finalizimi i operacionit të sotëm erdhi pas një hetimi disa mujor, me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.

“Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve që janë përfituar nga veprimtari kriminale.

Konfiskohen tri llogari bankare të një 66-vjeçari, me vlerë 140 milionë lekë, që dyshohen se janë përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve.

Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, pas një hetimi disamujor, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për vendosjen e konfiskimit të tre llogarive bankare të shtetasit L. L., 66 vjeç, banues në Fier, llogari bankare që arrinin shumën 140 milionë lekë.

Konfiskimi u krye për llogari të procedimit pasuror të filluar për këtë shtetas, pasi është subjekt i ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.

Shumat e konfiskuara dyshohet se janë produkt i veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, për të cilën djali i tij, shtetasi A. L është dënuar në Itali.

Vijojnë hetimet intensive për evidentimin e pasurive të tjera që mund të jenë në emër të këtij shtetasi dhe të personave të tjerë të lidhur me të”, njofton policia./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!