Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak më parë në Nikël të Krujës. Dy punonjës të një kompanie interneti i ka zënë korrenti, ku njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vend.
Ndërkohë, gjatë rrugës për t’i dërguar ata në spital, furgoni ka përplasur në Kamzë një tjetër person rreth 60 vjeç me biçikletë në rrugë.
Abcnews.al mëson se dy punonjësit një kompanie interneti ishin duke punuar për lidhjen e një linje interneti në Nikël, por në rrethana ende të paqarta kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike ku njëri ka humbur jetën në vend.
Pas ngjarjes, persona të tjerë që gjendeshin aty pranë kanë marrë një furgon për t’i dërguar në spital, por për shkak të panikut dhe shpejtësisë kanë përplasur një të moshuar që po lëvizte me biçikletë në qendër të Kamzës.
Njoftimi i policisë
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 09.05.2020, rreth orës 10:50, në qendër Kamzë, mjeti tip furgon me drejtues shtetasin G. S., 29 vjeç, ka aksidentuar biçiklistin S. M., 60 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Drejtuesi e mjetit furgon po qarkullonte me shpejtësi pasi po transportonte për në spital shtetasin A. Z., i cili gjatë punës si elektricist, në fshatin Nikël, kishte rënë në kontakt me rrymën elektrike. Shtetasi A. Z. ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të saj.
/abcnews.al