EMRI/ Rridhnin nga trafikimi i drogës, 55-vjeçarit i bllokohen 2 milionë euro pasuri në Tiranë

schedule14:43 - 2 Dhjetor, 2021

schedule 14:43 - 2 Dhjetor, 2021

Me finalizimin e operacionit të koduar “Milano”, Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kanë sekuestruar një pasuri prej 2 milionë eurosh të cilat dyshohen se burojnë nga veprimtari kriminale.

Njoftohet se në kuadër të operacionit policor të koduar “MILANO”, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në ngarkim të Kristaq Mahmutaj, 55 vjeç, banues në Tiranë. Ky i fundit është i dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

55-vjeçari më 15 mars të këtij viti është ekstraduar drejt Italisë, pasi është arrestuar gjatë një operacioni nga Policia e Tiranës, si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Vjedhja në rrethana rënduese” dhe “Trafik droge”.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 2.000.000 euro, konkretisht:

Një ndërtesë katërkatëshe, një sipërfaqe trualli, dy sipërfaqe toke (ara), një subjekt me veprimtari në fushën e prodhimit të ujit të pijshëm dhe një subjekt bar-kafe. Po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që Mahmutaj dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë. /abcnews.al/