Arrestohet vëllai i autorit të vrasjes së biznesmenit, killeri kishte parcelë me kanabis në Dajt

schedule13:00 - 7 Nëntor, 2021

schedule 13:00 - 7 Nëntor, 2021

Shkon në dy numri i të arrestuarve për vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha. Policia e Tiranës ka arrestuar vëllanë e autorit të dyshuar të krimit, Pajtim Rrushi 42-vjeç. Organet hetimore dyshojnë se Fredi Rrushin, që u arrestua në 26 Tetor e ka ndihmuar vëllai në krim.

Po sipas policisë, Rrushi dyshohet dhe si porositësi dhe organizatori i kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Ballenj në parcelën që u zbulua në 31 Tetor gjatë kontrolleve për biznesmenin dhe nga ku u arrestuan A. D dhe G. K.

Lexo edhe: Zbardhet ekspertiza, biznesmeni u vra me dy plumba, shoku që i ngriti kurth “kyç” gojën

Pajtim Rrushi akuzohet për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “ Fshehje ose asgjësim i kufomës“,  i dyshuar si bashkëpunëtor në “varrosjen” e trupit të biznesmenit në zonën e Dajtit. Ndërkohë që Fredi Rrushit i është komunikuar në burg akuza për vrasje, kultivim droge dhe fshehje e kufomës.

Por si arriti policia të gjejë vendin ku u vra e u hodh biznesmeni 43 vjeçar?
Pak ditë më parë, pranë shkollës së bashkuar gjetën celularin e thyer të Hoxhës. Kjo provë bëri që hetuesit të këqyrnin kamerat e sigurisë përgjatë zonës. Ato kishin fiksuar lëvizjen e Fredi Rrushit drejt Dajtit me mjetin “Passat”. Pak kërkimeve dy ditore me qen, në Qafë Mollë fillimisht u zbulua xhupi me njolla gjaku, e më pas trupi i pajetë i biznesmenit.

Grupi hetimor tashmë ka të qartë edhe itinerarin që Rrushi ka ndjekur nga zona e “3-shit” drejt Dajtit. Fillimisht, ai kishte telefonuar mikun e tij Ruzhdi Hoxhën 4 herë pasditen e 20 tetorit, por ky i fundit nuk i ishte përgjigjur. Më pas kishte marrë një prej personave që ndodhej në tavolinë me Hoxhën. Rreth orës 23:00, Fredi Rrushi kishte shkuar ta merrte atë me makinë.

Aty ndodheshin edhe dy persona të tjerë të cilët zbritën nga mjeti. Dy miqtë, Rrushi e Hoxha vazhduan rrugën drejt Dajtit. Pasi kishte kryer krimin, autori i dyshuar ka zbritur nga Qafa e Mollës në orën 3 të mëngjesit, ku kishte hedhur edhe celularin e Hoxhës përgjatë rrugës. Si pistë kryesore të vrasjes, policia ka konfliktet e borxhit dhe parcelat me kanabis./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!