Arrestohen 3 persona në Korçë, policia jep detajet

schedule14:45 - 24 Qershor, 2020

schedule 14:45 - 24 Qershor, 2020

Policia e Korçës ka arrestuar tre persona gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa është proceduar penalisht një tjetër.

Kështu, në Korçë, specialistët për hetimin e krimit, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. Dh., 40 vjeç, banues në fshatin Barmash, Kolonjë, (i dënuar më parë për veprën “Dhuna në familje”).

Ai u arrestua pasi gjatë seancës e cila zhvillohej në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për pajisjen me urdhër mbrojtje të bashkëshortes së tij shtetases S. Dh., 37 vjeçe, banuese në fshatin Bulgarec, Korçë, ky shtetas ka fyer gjyqtarin e çështjes A. L., si edhe ka kanosur me fjalë 37-vjeçaren dhe rojen e sigurisë së Gjykatës, shtetasin I. B.

Gjithashtu specialistët për hetimin e krimit ekonomik-financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit:

B. P., 43 vjeç, banues në fshatin Shtyllë, Korçë, pasi, në rrugën Korçë-Boboshticë, shërbimet e policisë kanë kapur mjetin furgon tip “Benz” në pronësi të tij, me drejtues shtetasin M. L., (punonjës i cili rezultonte i paregjistruar në organet tatimore) duke transportuar një sasi me dru zjarri pa faturën tatimore.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Dhuna në familje”, “Fyerja e gjyqtarit”, “Kanosja”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Punësimi i paligjshëm”.

Ndërkohë, në Pogradec, specialistët për hetimin e krimit, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sh. Ç., 39 vjeç, banues në fshatin Slabinjë, pasi në banesë ky shtetas dyshohet se ka dhunuar fizikisht në prani të fëmijës së tyre të mitur, bashkëshorten e tij shtetasen A. Ç., 29 vjeçe, ndaj së cilës u plotësua kërkesë padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Gjithashtu specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. G., 25 vjeç, banues në Pogradec, pasi në lagjen nr. 3, ky shtetas u kap duke drejtuar mjetin tip “Nissan”, në gjendje të dehur. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!