Agron Shehaj kandidon për kryetar të PD-së: Duhet vizion i ri

schedule12:43 - 22 Maj, 2021

schedule 12:43 - 22 Maj, 2021

Deputeti i zgjedhur në qarkun e Tiranës në 25 Prill, Agron Shehaj ka dorëzuar formularin për të kandiduar për postin e kryetarit të Partisë Demokratike në datë 13 Qershor. Njoftimin e ka bërë vetë Shehaj në një postim në Facebook, ku rendit edhe arsyet që e shtynë të merrte këtë vendim.

Shehaj që ishte një nga surprizat e zgjedhjeve përsa i përket numrit të votave preferenciale që mori në qarkun e Tiranës, thotë se PD ka nevojë për një vizion të ri dhe se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë, duke “thumbuar” Bashën.

Shqipëria ka sot nevojë për opozitë të fortë, parimore dhe frymëzuese. Shqipëria ka sot nevojë për Partinë Demokratike!

Ne demokratët do ta kapërcejmë gjendjen e vështirë ku jemi dhe do ngrihemi më të fortë se më parë. Përballë autokracisë, korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë, ne do të ndërtojmë alternativën e lirisë, ndershmërisë dhe aftësisë.

Për këtë duhen energji të reja, vizion i ri, drejtim i ri.

Me ketë bindje, kam vendosur të kandidoj për kryetar të Partisë sime. Konkurimin nuk e shoh si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që partia jonë të jetë partia e anëtarëve: një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur.

Unë besoj se çdo njeri duhet të luftojë duke dalë në shesh për atë që beson. Unë besoj se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë, që sigurisht kanë ndodhur. Unë besoj se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime.

Dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ju që më keni besuar e nxitur të marr përgjegjësinë e garës. Unë kam hyrë në politikë për të punuar për njerëzit, jo për t’u pasuruar dhe nuk do ju zhgënjej” shkruan ai.

Tashmë Lulzim Basha do të ketë përballë 4 rivalë, Agron Shehaj, Ibsen Elezi, Fatbardh Kadilli dhe Edith Harxhi, ndërsa Lisandër Hoxha u tërhoq.

Ndërkohë që ditën e diel në orën 18:00 mblidhet Kryesia e PD-së, e cila do të vendosë mbi kandidatët dhe modalitetet e garës për kreun e PD që mbahet në 13 qershor./ Abcnews.al