11 të arrestuar në Tiranë, policia jep detajet

schedule14:59 - 20 Tetor, 2020

schedule 14:59 - 20 Tetor, 2020

Policia e Tiranës ka arrestuar 11 persona për vepra të ndryshme penale gjatë 24 orëve të fundit.

Raportohet se pesë të rinj janë arrestuar në shpërndarje të lëndëve narkotike, kurse katër të tjerë për moskallëzim krimi.

Po ashtu, është arrestuar një 26 vjeçar, i cili akuzohet se ka futur sende të palejuara në burg, ndërsa një tjetër i ri u kap nga policia pasi iu kap një kartmonedhë e prerjes 50 euro e falsifikuar.

Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të një 20 vjeçareje, pasi u kap në flagrancë duke vjedhur disa veshje në një qendër tregtare.

Gjithashtu, policia rrugore arrestoi tre persona. Njëri u arrestua për aksidentin me vdekje ditën e djeshme në Kavajë, një tjetër për drejtim të makinës pa patentë, kurse tjetri për drejtim të makinës në gjendje të dehur.

Njoftimi i plotë

Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Bien në prangat e Policisë 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale, njëri prej tyre i shpallur në kërkim.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasit E. L., 20 vjeç, A. H., 21 vjeç, E. Z., 32 vjeç dhe F. K., 31 vjeç, pasi në një rrugë dytësore, pranë tyre u gjetën dy paketime me 8 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi E. L., 20 vjeç, i cili ka pranuar se lëndën narkotike e posedonte ai, ndërsa shtetasit A. H., 21 vjeç, E. Z., 32 vjeç dhe F. K., 31 vjeç u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi kishin dijeni për lëndën narkotike dhe nuk kanë kallëzuar.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit K. M., 26 vjeç, pasi Prokuroria e Elbasanit ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës Elbasan, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Futja apo mbajtja e sendeve të palejuara në I.E.V.P”.

Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. L., 25 vjeç, pasi në bulevardin “Zhan D’Ark”, nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, gjatë kontrollit personal iu gjet e u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një kartëmonedhë me prerje 50 euro, e dyshuar si e falsifikuar.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetases E. B., 20 vjeçe, pasi u kap në flagrancë duke vjedhur disa veshje në një qendër tregtare.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

-B. H., 49 vjeç, pasi ditën e djeshme, në Kavajë, ka aksidentuar me pasojë vdekjen biçilistin L. Gj;

-I. M., 49 vjeç dhe I. Gj., pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur;

-L. M., 20 vjeç, pasi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u kap në flagrancë duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!