E “dogji” pasuria, veliera nxori zbuluar gjyqtarin që shkoi me biçikletë në vetting

schedule16:35 - 18 Gusht, 2021

schedule 16:35 - 18 Gusht, 2021

Gjyqtari i Tiranës, Kreshnik Omari u shkarkua nga detyra më 6 korrik, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti mungesa të mëdha financiare për justifikimin e pasurive të tij dhe të prindërve, ndërsa u ngritën dyshime se një pjesë e këtyre të fundit mund të ishin prona të fshehura në emër të subjektit.

Pretendimet e Omarit se kishte fituar të ardhura të konsiderueshme nga puna si kamionist në emigrim dhe se prindërit kishin ushtruar profesionet e tyre edhe pas daljes në pension, duke krijuar të ardhura të mjaftueshme për blerjen e pronave, u konsideruan më së shumti në nivel deklarativ.

Megjithëse Omari ka pretenduar se nuk kishte pasur asnjë lidhje me pasuritë e prindërve, KPK konstaton se ai ka jetuar së bashku me ta dhe se ka interesa të drejtëpërdrejta në disa prej pronave dhe likujditeteve të zotëruara prej tyre në cilësinë e trashëgimtarit, e për rrjedhojë i ka konsideruar si persona të tjerë të lidhur.

Komisioni vendosi të përfundojë hetimin administrativ vetëm për kriterin e pasurisë, duke e rrëzuar kërkesën e subjektit për çeljen e hetimit për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Në vendimin e arsyetuar, trupa gjyqësore thotë se Omari nuk ka qenë bashkëpunues dhe në disa raste, nuk ka dhënë shpjegime dhe nuk ka dorëzuar dokumentacion për gjetjet e hetimit administrativ.

Pasuritë e gjyqtarit

Për krijimin e një depozite bankare në shumë 135 mijë euro në vitin 2015, Omari ka deklaruar si burime krijimi të ardhurat nga puna për 5 vjet si emigrant në Itali në periudhën 1991 – 1995; të ardhurat si avokat për periudhën 1995 – 1997; të ardhurat nga puna si gjyqtar nga viti 1997 deri aktualisht; të ardhurat e ish-bashkëshortes si avokate në periudhën 2003 – 2011 dhe si notere në periudhën 2011 – 2012 dhe tradhëgimi nga i ati.

Një pjesë e gjendjes cash ishte trashëguar nga viti 2003, kur Omari kishte deklaruar 97 mijë euro nga puna si emigrant, avokat dhe më pas si gjyqtar.

Megjithëse Omari ka dorëzuar dokumentacion për të provuar të ardhurat e përfituara nga puna si kamionist në Itali, sipas KPK ai ka arritur të justifikojë me dokumentacion ligjor vetëm shumën 76 milionë liretta, ekuivalent i shumës 39 mijë e 283 euro.

Në vendim thuhet se subjekti i rivlerësimit nuk ka depozituar dokumentacion për të provuar të ardhurat e tij nga aktiviteti si avokat, ndërsa nga puna si gjyqtar është konkluduar se mund të kishte kursyer rreth 1 milion lekë për periudhën 1997-2003.

Nisur nga këto konstatime, KPK konkludon se Omari e ka pasur të pamundur të dispononte shumën 97 mijë euro në vitin 2003 si gjendje cash dhe ngre dyshime se deklarimet e subjektit janë fiktive.

Po ashtu, Omari ka rezultuar në pamundësi financiare në vlerën 2,2 milionë lekë për të krijuar më vonë gjendjen cash 38 mijë euro të deklaruar prej tij se ka shërbyer për plotësimin e vlerës së depozitës 135 mijë euro.

Pamundësi financiare është gjetur edhe për çeljen e një depozite në shumën 1 milion lekë në vitin 2003, për krijimin e të cilës ka deklaruar të njëjtat burime.

Komisioni konstaton balancë negative në shumën 1.4 milionë lekë për blerjen e një garazhi me sipërfaqe 11.5 m2 në Tiranë në vitin 2013 për vlerën 2 mijë e 725 euro. Nisur nga çmimi i blerjes që rezulton rreth dy herë më i ulët nga ai i referencës, është konsideruar se subjekti ka kryer deklarim të rremë, pasi është përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë këtë pasuri.

Komisioni vlerëson se Omari ka kryer deklarim të rremë edhe për çmimin e blerjes së një automjeti tip “Lancia” në vitin 2013 dhe se ka fshehur vlerën reale të saj, si dhe të shpenzimeve të tjera të kryera prej tij. Subjekti ka deklaruar se e ka blerë në shumën 300 mijë lekë nga shtetasja italiane V.P., ndërkohë që kjo e fundit e kishte blerë rreth dy muaj më parë në Itali në shumën 9000 euro dhe ka paguar detyrime doganore në verën 255 mijë lekë.

Nga verifikimet e sitemit TIMS Komisioni ka gjetur se Omari dhe shtetasja italiane V.P. kanë udhëtuar shpesh së bashku jashtë shtetit dhe se janë të njohur, fakt që është pranuar edhe nga vetë subjekti i rivlerësimit.

Probleme të ngjashme Komisioni ka gjetur edhe deklarimin e blerjes së një veliere me gjatësi 9 metra në vitin 2015, kundrejt vlerës 4000 euro. Si burim krijimi për këtë pasuri, Omari ka deklaruar kursimet vjetore, por nga analiza financiare është konstatuar balancë negative në shumën 976 mijë lekë.

Ai ka pretenduar se çmimi 4000 euro i është ofruar nga pronari i velierës, një shtetas Italian nga Napoli të cilin e njihte që prej kohës kur kishte qenë emigrant, pasi ai do të ndërtonte varkë më të madhe dhe nuk i nevojitej më ajo që dispononte.

I pyetur nga Komisioni lidhur me shpenzime të mundshme për velierën, si dhe vendparkimin e tij, subjekti ka deklaruar se që në momentin e blerjes ia ka lënë në përdorim kushëririt të tij L. B. në Vlorë dhe nuk ka shpenzime për të deklaruar.

Ndërkohë nga hetimi është zbuluar një kontratë e lidhur në prill të vitit 2016 mes një shoqërie ndërtimi dhe nënës së subjektit për marrjen me qira për 79 vjet në Marinën e Orikumit të një apartamenti dhe një vendi për akostimin e një barke me gjatësi 12 m dhe gjerësi 3.80 m, për vlerën 99 mijë e 600 euro, që është likujduar në vitit 2015 dhe 2016.

Komisioni vëren se në periudhën kur është blerë veliera është kryer edhe pagesa e këstit të parë për apartamentin dhe vendin për akostimin e barkës nga nëna e tij dhe konsideron se subjekti nuk ka qenë bashkëpunues dhe se ka kryer deklarime të pasinqerta.

“Fshehje në emër të prindërve”

Nga hetimi janë zbuluar edhe prona e likujditete në emër të prindërve të moshuar të gjyqtarit Omari, për të cilat Komisioni ngre dyshime se mund të jenë pasuri të tij të fshehura.

KPK ka konstatuar se në llogari të nënës së Omarit ka kaluar shuma 160 mijë euro në vitin 2015 nga një shoqëri ndërtuese. Nga verifikimet ka rezultuar se kjo shoqëri ka lidhur kontratë sipërmarrje me babanë e ndjerë të subjektit në vitin 2010 për prenotimin e një njësie kundrejt çmimit të paguar prej 160 mijë eurosh.

Në qershor 2011 është nënshkruar revokimi i kontratës së sipërmarrjes, duke u përcaktuar që shoqëria të rikthente shumën 160 mijë euro brenda vitit 2014. Babai i subjektit ka ndërruar jetë në vitin 2011 dhe Komisioni konstaton se trashgimtarët e të ndjerit janë gjyqtari Omari dhe nëna e tij.

Kjo e fundit, pasi në llogarinë e saj është depozituar shuma 160 mijë euro ka kaluar 60 mijë euro në llogarinë e shtetases italiane V.P., mikeshë e subjektit të rivlerësimit e cila është konsideruar si person tjetër e lidhur.

Në vendim thuhet se duket se subjekti nuk ka bashkëpunuar për qartësimin e këtyre transaksioneve dhe nisur nga fakti se nuk i ka deklaruar dhe nuk ka provuar burimet e krijimit të tyre, ngre dyshime se mund të jenë pasuri të fshehura të tij.

Pjesa e mbetur në shumën 100 mijë euro të përfituar nga revokimi i kontratës së sipërmarrjes, nëna e Omarit e ka përdorur për kontratën me investitorin G.A. në Orikum të Vlorës për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 134 m2 në Tiranë, që dyshohet gjithashtu si pasuri e fshehur e subjektit.

“Duket se apartamenti është pasuri e fshehur e subjektit të rivlerësimit, nisur nga origjina e të ardhurave të përdoruara, mosha e nënës së tij, si dhe çmimi i shitjes së kësaj pasurie,” citohet në vendim, ku shpjegohet se vlera mesatare referuese për këtë apartament është 14,3 milionë lekë.

Në vendim thuhet se Omari nuk ka dhënë asnjë shpjegim dhe nuk ka depozituar dokumentacion lidhur me transferimin e shumës 16 mijë e 600 euro në vitin 2015 për llogari të kontratës së qirasë për apartamentin, vendin e akostimit të barkës barkës dhe përdorimin e shërbimeve portuale të vitit 2016, me vlerë transaksioni 99 mijë e 600 euro.

“…Duke pasur parasysh moshën e nënës së subjektit të rivlerësimit (82 vjeç në momentin e lidhjes së Kontratës) dhe zotërimin e një mjeti Velierë nga subjekti i rivlerësimit blerë në tetor të vitit 2015, duket se kjo kontratë është lidhur për marrjen me qira të një apartamenti dhe të një vendi akostimi varke, si dhe përdorimin e shërbimeve portuale nga subjekti i rivlerësimit për velierën e tij,” shprehet trupi gjykues i KPK dhe i konsideron si pasuri të fshehura të Omarit. Gjithashtu, Komisioni vlerëson se ai duhet të provojë burimin e ligjshëm të këtyre pasurive.

Komisioni ngre dyshime se Omari ka fshehur në emër të të atit edhe dy vendparkime, që nga hetimi ka rezultuar se janë blerë në vitin 2011 kundrejt vlerës 2,8 milionë lekë.

KPK vëren gjithashtu se Omari nuk ka deklaruar në vitin 2011, pasi i ati ka ndërruar jetë disa pasuri të deklaruara prej të ndjerit në vitin 2003, konkretisht një truall me sipërfaqe 460 m2; si dhe dyqane me sipërfaqe 80 m2 në Gjirokastër të trashëguara.

Po ashtu rezulton se nuk ka deklaruar procesin e legalizimit për një shtesë dy kate + bodrum të kryer nga i ati, si dhe të drejtat reale mbi këtë pasuri të fituar nga ai proces.

Nga analiza financiare për periudhën 2003-2016 ka rezultuar mungesë burimesh financiare të ligjshme në shumën 22.3 milionë lekë./ BIRN

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!