“E dinim vështirësinë e sfidës”, Arteta pas humbjes në “Do Dragao”: Duhet të fitojmë në “Emirates”

schedule13:36 - 22 Shkurt, 2024

schedule 13:36 - 22 Shkurt, 2024

Ishte një humbje e pritshme. “Topçinjtë” e Arsenal nuk arritën dot të “thyenin tabunë” e disftave në transfertat evropiane, teksa mbrëmjen e së mërkurës, që sapo lamë pas u mundën në “ferrin” e “Estadio do Dragao”, me rezultatin minimal 1 me 0, nga “Dragonjtë” e Porto, duke e nisur në mënyrën më të keqe të mundshme fazën e 1/8-ve, të Champions League.

Mirëpo, duket se për teknikun, Mikel Arteta disfata ishte një rezultat i pritshëm, i cili në fjalën e tij, për mediat, pas përfundimit të ndeshjes theksoi vështirësinë e të luajtur në “mitikun” e “Dragonjve” portugezë e më tej u shpreh se do të nxjerrin leksione nga kjo humbje, teksa kualifikimin synohet të arrihet në “Emirates”.

“Është e vështirë të luash në këtë stadium. Porto është një skuadër e organizuar mirë. Ne patëm disa probleme, sidomos në pjesën e parë. Dhe e kam fjalën për aspektin ofensiv. Do të nxjerrim mësime nga kjo humbje. Për t’u kualifikuar në çerekfinale duhet të triumfosh përballë kundërshtarit tënd. Dhe kjo është ajo çfarë duam të bëjmë në ndeshjen e kthimit”,- tha strategu spanjoll.

Më tej në fjalën e tij, “numri 1” i pankinës së “Topçinjve”, pati jo pak pakënaqësi edhe me mënyrën e arbitrimit, ku theksoi se çdo ndërhyrje në dëm të vendasve u kthye në faull për këta të fundit, teksa edhe një herë nxorri në pah rëndësinë e fitores, në ndeshjen e kthimit e programuar, për t’u luajtur në mbrëmjen e 12 marsit.

“Dukej sikur nuk mund të preknim askënd prej tyre, sepse jepej menjëherë faull kundër nesh. Ata e tepruan me hedhjet e tyre, por do të përgatitemi më mirë për ndeshjen e kthimit. E kemi plotësisht të qartë se çfarë duhet të bëjmë. Duam të fitojmë dhe të kualifikohemi”,- tha në përfundim të fjalës së tij, tekniku spanjoll. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!