“E dimë se do na provokojnë”, mediat serbe i druhen “murit” kuqezi: Pas ndeshjes ndaj Italisë tifozët shqiptarë do të vijnë në Gelsenkirshen

schedule13:29 - 14 Qershor, 2024

schedule 13:29 - 14 Qershor, 2024

Pritet një numër jashtëzakonisht i madh i tifozëve tanë. Kualifikimi historik për herë të dytë, në një turne madhor të futboll, siç është edhe Kampionati Evropian ka ingranuar jo pak tifozët “kuqezi”, të cilët janë dyndur drejt Gjermanisë, në prag të nisjes së këtij evenimenti dhe pritet të dhurojnë spektakël në tribunat e stadiumeve, ku Kombëtarja do të luaj, dhe jo vetëm.

Mirëpo, nëse për shumëkënd tifozeria “kuqezi” vetëm shton spektaklin e këtij Evropiani, prania e madhe e tyre në Gjermani, po shikohet si “halë në sy”, në Serbi, ku në mediat vendase ku prej vitesh çdo gjë që ka lidhje me Shqipërinë kujton të famshmen “Provokacija”, skenë e cila na dhuroi “biletën” e parë të një turneu madhor në histori.

Serbia dhe Anglia do të luajnë në xhiron e parë të Grupit C në Evropian, të dielën në orën 21:00, mirëpo, mediat serbe duket se nuk e kanë mendjen te “Tre Luanët”, por i ka “kapur frika” nga prania e 50 mijë shqiptarëve në “Signal Iduna Park”, teka mendojnë se mund të zhvendosen një ditë më pas në Gelsenkirshen, që nuk është shumë larg, për t’u përplasur me tifozët serbë.

“Sipas njohurive tona, ajo ditë do të jetë shumë “e nxehtë”, sepse në Dortmund janë 50 mijë tifozë shqiptarë. Shumë prej tyre do të vijnë në Gelsenkirshen aty pranë, ku po luan Serbia, për të krijuar kaos. Në ditën e ndeshjes sonë me Anglinë, kjo do të jetë një sfidë e dyfishtë për tifozët tanë për të treguar se askush nuk mund t’i provokojë ata, veçanërisht nëse e dimë që po vijnë edhe huliganët anglezë.

Dhjetëra mijëra shqiptarë do të jenë në Dortmund sepse kombëtarja e tyre po luan atje një ditë më parë me Italinë dhe kur të jenë tashmë atje, një ditë më vonë do të shkojnë në një qytet aty pranë për të provokuar serbët”,- shkruan “Blic.rs”, duke përhapur jo pak panik.

Megjithatë, duket se ky është vetëm këndvështrimi i tyre, pasi tejet i kundërt ka qenë shpjegimi i kroates, “index.hr”, të cilët e shohin si një ngjarje entuziasmuese, për shkak se është kualifikimi i dytë në histori, në një kompeticion të madh futbollistik.

“Një numër kaq i madh i shqiptarëve nuk është për t’u habitur. Kjo është vetëm kompeticioni i dytë i madh në histori, në të cilin kombëtarja e tyre është kualifikuar. Ndaj ka eufori në vend dhe të gjithë duan ta shikojnë kombëtaren live në Euro. Përveç kësaj, ka një diasporë të madhe shqiptare në Gjermani dhe në vendet fqinje”,- shkruhet në artikullin e medias kroate. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!