2020, mbarove? Një tjetër lajm shumë i dhimbshëm për futbollin, që prek shumë edhe fansat e shumtë shqiptarë të Italisë është njoftuar mëngjesin e sotëm nga mediet italiane. Paolo Rossi, heroi i Italisë në Botërorin e vitit 1982 në Spanjë ka ndërruar jetë për shkak të kancerit.
Ish-sulmuesi i Juventusit është ndarë nga jeta në moshën 64-vjeçare. Paolo ishte hero kombëtar në Itali për shkak të atij Botërori të paharrueshëm. Ai sapo ishte kthyer nga një dënim, por u grumbullua në kombëtare dhe bëri atë, që askush nuk e mendonte.
Italia nuk ishte aspak pretendente, por në fund shkoi me Kupën në shtëpi dhe protagonisti kryesor ishte padyshim Rossi. Ai i shënoi atë tregolësh të pabesueshëm Brazilit të mbushur plot me yje dhe i shënoi Gjermanisë në finalen e fituar 3-1.
Së bashku me Baggio dhe Vieri ai mban rekordin e golave (9) të shënuar nga një italian në Kupën e Botës. Ai ishte lojtari i parë në histori (është barazuar vetëm nga Ronaldo Fenomeni), që fitoi Kupën e Botës, titullin e golashënuesit më të mirë dhe Topin e Artë. Me Juven ai fitoi dy Serie A, teksa futbolli italian humbet një nga simbolet e tij.
Pas tërheqjes nga futbolli Rossi u bë komentator shumë i zoti, duke punuar në televizione gjigante si Rai, Sky dhe Mediasset. Ai la tre fëmijë, Sofia Elena, Maria Vittoria dhe Alessandro. Ishte i martuar me gruan e tij Federica, e cila njoftoi e para në rrjetet sociale ndarjen e tij nga jeta. /abcnews.al