“E bukura e Adriatikut” hap sezonin turistik

schedule13:24 - 19 Shkurt, 2019

schedule 13:24 - 19 Shkurt, 2019

Ka mbërritur në portin e Durrësit, kroçera e parë për këtë vit duke hapur në këtë mënyrë sezonin turistik për vitin 2019. Kroçera “La belle de L’Adriatique” ishte nisur nga ishulli i Korfuzit në Greqi. Ajo solli  134 turistë francezë, ndërsa një javë më parë ka prekur edhe portet e Sarandës dhe Vlorës në kuadër të një turi që po zhvillon duke ndaluar në disa prej porteve të Mesdheut.

Një pjesë e turistëve të huaj kanë planifikuar që përveç qendrave arkeologjike dhe historike të Durrësit, të vizitojnë edhe qytetin e Tiranës. Kroçera me gjatësi 111 metra dhe me flamur belg do të ankorohet në Durrës edhe 7 të shtuna të tjera radhazi.

Ky është viti i tretë i lundrimit të kroçerës “E bukura e Adriatikut” drejt Durrësit. Burime nga autoriteti portual Durrës bëjnë të ditur se këtë vit sezoni turistik do të zgjasë mbi 9 muaj. Deri tani autoriteti portual ka marrë njoftim për mbërritjen e 25 kroçerave dhe velierave turistike, të cilat do ta vizitojnë portin e Durrësit deri në Nëntor të këtij viti./abcnews.al