Inter u kualifikua në finale të Europa League dhe do tentojë trofeun. Përballë do të ketë skuadrën e Sevilla, pesë herë fituese e këtij kompeticioni. Zikaltrit mbrëmë mposhtën Shakhtar Donetsk me rezultatin 5-0 dhe trajneri Antonio Conte lavdëron skuadrën e tij që bëri që ukrainasit të dukeshin një skuadër krejt normale.
“Mendoj se arritëm finalen ndaj një skuadre që e bëmë të dukej më pak e fortë se sa ishte, por Shakhtar ka shumë talent dhe nuk i lejuam të bënin presion në të gjithë fushën. Ata kanë shumë cilësi, pasojnë mirë, kanë ritëm, por ne i bëmë mirë detyrat në mbrojtje. E dinim mirë se pa topin në zotërim ata nuk janë të kënaqur. Guxuam dhe patëm planin e duhur. Meritat shkojnë të gjitha për lojtarët. Ishte një paraqitje super, që e bëri Shakhtarin të dukej një ekip mesatar”, tha Conte për Sky Sport Italia.
Një klub italian për herë të fundit në finale kishte arritur në vitin 1999, kur Europa League quhej UEFA Cup. Parma ia dilte të luftonte për trofeun dhe Conte e ka komentuar këtë fakt. “Është një kënaqësi për të gjithë. Gjëja më e rëndësishme për mua është që shumë prej djemve po luajnë këtë lloj ndeshjesh për herë të parë. Ata po fitojnë eksperiencë në një nivel të rëndësishëm dhe në një turne ku Italia nuk ka qenë protagoniste për një kohë të gjatë”, shtoi italiani.
“Finalja? Sevilla ka përvojë të madhe, e kanë fituar katër herë në gjashtë vitet e fundit në mos gaboj. Sidoqoftë ne kemi entuziazëm, uri dhe dëshirë për të mahnitur njerëzit. Tani duhet të pushojmë, të rikuperojmë dhe të përpiqemi t’u japim një gëzim tifozëve të Interit. Ata besoj se janë krenar për këta djem, pasi po japin zemrën dhe shpirtin në fushë. Siç e kam thënë shpesh, duhet ta lëmë fushën pa asnjë peng. Duhet ta dimë se dhamë gjithçka nga vetja, bëmë gjithçka mundemi, kështu që nëse humb ndodh për shkak se kundërshtari ishte më i mirë”.
Fundi i kampionatit solli një deklaratë të fortë të Contes, i cili u shpreh se drejtuesit nuk e mbrojnë sa duhet atë dhe ekipin. “Ndjeva disa gjëra në atë kohë dhe e pashë të arsyeshme ta them. E ndjeva diçka të tillë. Unë them diçka që ka qëllimin e diçkaje konstruktive, mediat normalisht pëlqejnë të theksojnë disa gjëra më shumë. Në të njëjtën kohë unë e di se duhen edhe disa hapa që Interi të jetë ai që duam të gjithë në të ardhmen. Unë nuk jam politikan, i përmbahem fakteve dhe veprimeve pa qenë pjesërisht diplomatik. Gjithsesi përpiqem të konstruktiv dhe të mos ofendoj asnjë”, përfundoi Conte. /abcnews.al