“E ardhmja në këmbët e tyre”, Camolese shikon nga afër talentet në Durrës

schedule10:07 - 12 Maj, 2021

schedule 10:07 - 12 Maj, 2021

Drejtori Teknik i Federatës Shqiptare të Futbollit, Giancarlo Camolese, ka vëzhguar nga afër seancat stërvitore të përfaqësueseve rajonale të Durrësit dhe punën që po bëhet në evidentimin dhe rritjen e elementëve të rinj të futbollit shqiptar.

Kjo vizitë bëhet në kuadër të një turi që Drejtori Teknik i FSHF-së po zhvillon në të gjitha Zyrat Rajonale të Federatës në Shqipëri për të koordinuar sa më mirë punën me përgjegjësit e zyrave dhe trajnerët.

Në një prononcim për Fshf.org, Camolese tha se objektivi i Federatës është që t’i qëndrojë sa më pranë djemve të vegjël dhe t’i mbështesë në mënyrë që ata të rriten dhe të bëhen e ardhmja e ekipeve kombëtare të Shqipërisë. Drejtori teknik thekson se të gjithë ata që aspirojnë të bëhen futbollistë duhet të tregojnë pasion të madh për lojën.

“Jemi në Durrës për të ndjekur stërvitjen e përfaqësueseve rajonale, ata që janë e ardhmja e ekipeve kombëtare. Kemi trajnerë të zotë që po punojnë me këta djem dhe objektivi i federatës është që t’u qëndrojë pranë lojtarëve, të punojë për rritjen e tyre.

E ardhmja është në këmbët, duart apo mendjet e tyre. Duhet të tregojnë që kanë pasion të madh për lojën e futbollit dhe ne të gjithë specialistët në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe unë në veçanti do të bëjmë gjithçka për të qenë sa më pranë këtyre djemve dhe familjeve të tyre”, – tha ndër të tjera Giancarlo Camolese. /fshf.org